E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paloka dhe Bregu sulmuan kreun e PS për vizat

Braçe: Berisha kërkoi votim të fshehtë për dekretet e Presidentit

Socialistët japin prova që tregojnë kontradiktën e demokratëve në vite dhe lojën e tyre për votimin e fshehtë të dekreteve të Presidentit. Deputeti i PS-së, Erion Braçe, duke u rikthyer pas në kohë në vitin 2002, i kujton Kryeministrit aktual, Sali Berisha, përpjekjen e tij ‘të madhe’ për të kthyer votimin e fshehtë në Kuvend. “Do të doja të thërrisja disa dëshmitarë, së pari zotin Topi, së dytin zotin Berisha në kohë të ndryshme dhe zonjën Topalli në atë kohë nënkryetare e Kuvendit. Do të doja të thërrisja edhe zotin Olldashi dhe Mediu. Më 19 shkurt 2002, në kohën kur kryetar i Kuvendit ishte Namik Dokle, ju keni kërkuar votim të fshehtë për dekretet e Presidentit. Pse sot keni ndryshuar qëndrim”, thotë deputeti i PS-së, Erion Braçe. Një tjetër deputet socialist, Damian Gjiknuri, ka ndjekur linjën e parafolësit të tij, Erion Braçes, për të “mbërthyer” mazhorancën. Gjiknuri e cilësoi këtë si një provë për parlamentarizmin, duke shtuar se “amendimi i rregullores synon t’u heqë deputetëve dhe kështjellën e fundit të pavarësisë, që është vota”. "Me këtë akt, Kryeministri Berisha kërkon të heqë vullnetin e deputetit që shprehet me votën e fshehtë, duke tentuar të ushtrojë kontroll mbi votën e tij. Ky është një rrezik që kërcënon parlamentarizmin. Kjo është çështje votash dhe ju keni frikë nga rrjedhja e votave të mazhorancës", tha deputeti Gjiknuri. Deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi, duke mbrojtur ndryshimet në rregullore, thotë se ajo sjell një përmirësim të dukshëm në procedurat parlamentare, rrisin transparencën e vendimmarrjes së Parlamentit dhe llogaridhënien. “Nisma për votimin e hapur kërkon të thyejë një mentalitet, ndaj duhet të shprehim besim në përzgjedhjen që bëjmë përmes votimit të hapur dhe nominal për dekretet e Presidentit”, tha Gumi. Sipas tij, votimi i hapur i dekreteve presidenciale është një procedurë që u përgjigjet zhvillimeve të Parlamentit shqiptar dhe amendamentet e paraqitura nuk kanë përmbajtje antikushtetuese dhe as janë në shkelje të ligjit. Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Edi Paloka, dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, akuzuan opozitën se kanë lobuar gjatë kësaj kohe kundër procesit të liberalizimit të vizave. “Bëtë të gjitha përpjekjet për të ndalur liberalizimin e vizave, por nuk ia dolët”, tha Bregu. “Përshëndetjet e kryesocialistit Rama ndaj europianëve për vendimin e liberalizimit të vizave janë si prezervativi pas seksit. Dikur përdorej shprehja si kofini pas të vjelit, por kohët e fundit kanë dalë shprehje të reja, si prezervativi pasi bën seks”, tha në seancën e djeshme të Kuvendit, deputeti Edi Paloka. Në debat ka ndërhyrë edhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, që falënderoi Komisionin e Jashtëm të PE-së për miratimin që iu dha rezoluta për integrimin e Shqipërisë në BE. Topalli tha se Edi Rama dështoi në përpjekjet e tij për të shtyrë votimin për liberalizimin e vizave për shqiptarët. “është e vërtetë që pardje janë bërë të gjitha përpjekjet për të shtyrë procesin e votimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave”, deklaroi Topalli, ndërsa theksoi se “Rama ka dështuar në përpjekjet e tij për të shtyrë votimin. Nuk është rasti për të pasur zi për një rast kaq të madh”, përfundoi Topalli.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›