E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baumgartner nga endrra ne realitet

Kur kanë qenë fëmijë, të gjithë janë vënë përballë pyetjes se çfarë dëshirojnë të bëjnë kur të rriten. Sot për sot është e vështirë të dihet se çfarë përgjigje ka dhënë Felix Baumgartner.

Megjithatë, me siguri mund të thuhet që njeriu i cili vendosi rekorde të jashtëzakonshme gjatë hedhjes së lirë nga stratosfera, në projektin “Red Bull Stratos” i kishte idetë e qarta.

Këtë e konfirmon një vizatim, që vetë sportisti austriak i disiplinave ekstreme e ka publikuar në faqen e tij në rrjetin social “facebook”, pas hedhjes mbresëlënëse nga distanca 39 kilometra.

Vizatimi shoqërohej me komentin: “Kam pasur një ëndërr... ja cila është. Në vitin 1974, kur isha vetëm 5 vjeç, kam bërë këtë vizatim dhe ia dhashë nënës time. Kur realizova hedhjen e parë, më 23 gusht të vitit 1986, ajo ma rikujtoi vizatimin”.

Më tej, Baumgartner shtonte: “Është interesante se deri ku mund të arrish falë dëshirave të tua. Nëse qëndron i përqendruar dhe nuk dorëzohesh asnjëherë, edhe në ato raste kur gjërat duken shumë të vështira. Shpresoj që t’ju pëlqejë, aq sa më pëlqen edhe mua”.

Vizatimi konfirmon se 43-vjeçari Baumgartner kishte ëndërruar gjithmonë që të arrinte qiellin. Ëndrra e tij, që u shndërrua edhe në një hap të rëndësishëm për njerëzimin dhe që pritet të shfrytëzohet nga shkenca dhe mjekësia u realizua pas investimit kolosal në projektin “Red Bull Stratos”. Të gjitha komentet e tjera janë të tepërta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›