E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bayern e Lyon kompletojnë gjysmëfinalen

Pas Barcelonës e Interit, Bayern Munchen dhe Olympique Lyon janë dy skuadrat tjera që janë kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Fitoret në ndeshjet e para dolën të ishin vendimtare për gjermanët dhe francezët, të cilët edhe pse humbën të mërkurën mbrëma nga Manchester United dhe Bordeaux, ecën përpara.

Manchester United, që befasisht inkuadroi në lojë nga fillimi sulmuesin Wayne Rooney, e filloi vrullshëm pjesën e parë duke shënuar tri gola. Gibson dhe Nani e shkrinë avantazhin e lojës së parë të Bavarezëve (2:1) qysh në 7 minutat e para, ndërsa portugezi i ri shënoi edhe një herë, katër minuta pa përfunduar pjesa e parë, 3:0. Kur të gjithë mendonin se anglezët do të shkonin përpara, kroati Olic, që shënoi edhe në ndeshjen e parë, doli në skenë edhe një herë, për t’ia shtuar gjasat ekipit të tij. Me rezultatin 3:1 skuadrat shkuan në pushim.

E mërkura ishte natë e zezë për mbrojtësin e djathtë të anglezëve, Rafael da Silva. Përpos që pati një rast të qindpërqindtë, për ta kryer lojën, braziliani e la ekipin e tij me 10 lojtarë qysh në minutën e 50-të, pasi mori kartonin e dytë të verdhë.

Dhe, njëjtë si ndaj Fiorentinës, gjermanët u hodhën në sulm dhe kjo solli fryt në minutën e 74-t, kur mesfushori holandez Arjen Robben, me një volej të shkëlqyeshëm, shënon për rezultatin 3:2, që do t’i mjaftonte skuadrës së tij për të shkuar në gjysmëfinale, për herë të parë pas vitit 2001. Në anën tjetër, Man Utd eliminohen në çerekfinale pas një periudhe bukur të gjatë.

Në përballjen tjetër, Bordeauxit nuk i mjaftoi fitorja 1:0 ndaj Lyon (shënoi Chamakh në minutën e 45-të), që e siguroi gjysmëfinalen për herë të parë në histori. Në gjysmëfinale do të luajnë Barcelona-Inter dhe Bayern Munchen-Lyon.

Liga e Kampionëve
E mërkurë
Man Utd-Bayern M. 3:2 (1:2)
Bordeaux-Lyon 1:0 (1:3)
Në kllapa, rezultatet e ndeshjeve të para

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›