E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugës për BE

Kosovës i duhet ta luftojë ekonominë joformale, ta përmirësojë dukshëm bilancin tregtar, të mundësojë konkurrencë lojale mes bizneseve dhe ta shtrijë sistemin doganor në tërë vendin, në mënyrë që brenda dy - tri viteve të jetë e gatshme të hyjë në marrëdhënie tregtare me Bashkimin Europian. Hapi i parë në këtë drejtim është bërë të mërkurën, kur ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Lutfi Zharku, ia dorëzoi kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, draftin e parë të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian.

Fjala është për 217 pyetje, përmes të cilave në formë të përgjigjeve duhet të përshkruhet gjendja reale në ekonominë e Kosovës. Tash përgjigjet i dorëzohen Komisionit Europian, i cili kah fundi i vitit do t’ia përcaktojë Kosovës kriteret që duhet t’i plotësoj nëse dëshiron të integrohet ekonomikisht në BE. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e Këshillit Ndërministror për pyetësorin për marrëdhënie tregtare me Bashkimin Europian, ka deklaruar së pyetësori është një mundësi unike që BE-ja ia ka dhënë Kosovës, por edhe përgjegjësi për shtetin që t’i përgjigjet këtij procesi.

“Kërkohet angazhim i plotë, serioz, profesional i politikës, mund të them, gjithëkosovare sepse është qëllim i gjithë institucioneve kosovare, po ashtu edhe i qytetarëve të vendit pa dallim etnie”, është shprehur Thaçi.

Për kryeministrin drafti i përgjigjeve, që janë përgatitur tashmë, dëshmon seriozitetin e Qeverisë dhe Këshillit Ndërministror. Gjithashtu kërkohet të punohet vazhdimisht me angazhim maksimal në mënyrë që zyrtarisht të dorëzohet pyetësori.

“Në këtë drejtim do të konsultohemi me Komisionin Europian dhe ekspertët e tyre”, ka thënë Thaçi.

Pas arritjes së pyetësorit nga Komisioni Europian, Këshilli Ndërministror për marrëdhënie tregtare me Bashkësinë Europian ka hartuar përgjigjet e pyetjeve një javë para afatit zyrtar për dorëzimin e tyre.

Ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Lutfi Zharku, tha së pyetësori është ndarë në tetë fusha, që kanë të bëjnë me mekanizmat që rregullojnë tregtinë, rregullativa ligjore, doganat, barrierat tarifore e jotarifore, me prokurimin publik dhe fushën e konkurrencës.

“Hapi i parë është pyetësori, hapi i dytë, më 26 ose 27 prill, ne e kemi takimin sektorial për tregun e brendshëm ku do të diskutohet për marrëdhëniet tregtare, natyrisht edhe për pyetësorin”, thotë ministri Zharku.

Kësaj herë qeveria nuk ka harruar që gjatë hartimit të përgjigjeve ta konsultojë edhe komunitetin e biznesit. Marrë parasysh problemet ekonomike në Kosovë dhe dinamikën ndaj luftimit të dukurive të këqija, nga komuniteti i biznesit shprehen më skeptikë së Kosova mund t’i përmbush kriteret me kohë.

Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se kah fundi i vitit BE-ja do t’i përcaktojë kriteret Kosovës që kërkohet shumë punë për t’i plotësuar.
“Kriteret përfshijnë tregun e brendshëm, sidomos aspektet që lidhen me doganat, me tatimet, me rregullativën e brendshme të aspektit tregtar dhe marrëdhëniet tregtare me vendet tjera. Pra, duhet shumë punë nga institucionet”, ka thënë Rukiqi.

Ndërkaq, këtë problem e ka ngritur edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve, që me rastin e marrjes së pyetësorit ia ka kujtuar qeverisë disa nga pikat e marrëveshjes, në të cilat Kosova gjendet shumë keq. Për AKB`në, plotësimi i të gjitha kushteve për të nënshkruar këtë marrëveshje, siç parashihet për dy apo tri vjet, rrezikon të zgjatet edhe më shumë.

“Kemi tregtinë, e cila në Kosovë është tërësisht e pabarabartë, sistemin doganor që vazhdon të mos aplikohet në mbarë vendin, origjina e mallit paraqet problem të madh gjatë blerjes së produkteve që vijnë nga jashtë dhe konkurrenca e pabarabartë për të gjitha bizneset në Kosovë”, thuhet në rekomandimet e AKB`së.

Gjithashtu, mbetet sfidë marrja e përgjegjësisë dhe kontrollit në pikat doganore 1 dhe 31 në veri të vendit nga ana e policisë së Kosovës dhe EULEX`it.

Ndryshe, pyetësorët për marrëdhënie tregtare, Komisioni Europian ua ka dorëzuar të gjitha vendeve të Ballkanit, me qëllim të harmonizimit të politikave për liberalizim të tregtisë. Vlerësimi i gjendjes pritet të paraqitet në raportin e progresit, që do të publikohet në vjeshtë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›