Fund me rezolutë

Ishin mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme me ftesë të Qeverisë së Kosovës për të votuar dokumentin që do të shënonte fillimin e procesit për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur. 83 deputetë të Kuvendit të Kosovës të martën miratuan Rezolutën për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.
Por, as kundërshtimet nuk munguan. Nga 106 deputetë të pranishëm në seancën e së martës, 13 votuan kundër, ndërsa një abstenoi.
E, krejtësisht kundër, ashtu siç u prit, doli Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili paraqiti një tjetër projektrezolutë para deputetëve, por nuk mori përkrahje për ta futur në rend të ditës. Kjo, ngase gjatë asaj seance në rend të ditës ishte paraparë vetëm një pikë, votimi për miratimin e dokumentit që e përgatit Kosovën për të dalë nga mbikëqyrja ndërkombëtare.
Këtë dokument para kolegëve të tij e paraqiti shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.
Menjëherë pas tij fjalën e mori kreu i Qeverisë aktuale, Hashim Thaçi, i cili ftoi deputetët që të jenë të bashkuar, ashtu sikurse në ditët e vështira të Kosovës, dhe ta votojnë projektrezolutën e hartuar nga spektri i tij politik.
“Ne po miratojmë rezolutën që hap derë dhe i jep fuqi përmbylljes së mbikëqyrur të pavarësisë së Kosovës. Kjo rezolutë, përmbajtja e saj, dhe për më tepër shpresoj se akti i miratimit që reflekton një konsesus të përgjithshëm politik dhe etnik, flet më së miri se çka do tjetër për pjekuri të politikës dhe shoqërisë sonë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se meritat për përmbylljen e pavarësisë së Kosovës nuk janë vetëm të Qeverisë së tij, apo një mandati, por të gjithë qytetarëve.
“Qeveria e Kosovës do të përmbushë të gjitha obligimet dhe detyrimet që dalin karshi rezolutës, në mënyrë që ky proces të përmbyllet suksesshëm”, ka thënë Kryeministri Thaçi.
Ndër të tjera, ka falënderuar Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe Peter Feithin për kontributin e dhënë.
E, përkrahjen që e kërkoi edhe e mori nga partitë parlamentare, përveç VV’së.
“Pika më problematike e tekstit të propozuar përmes kësaj rezolute, megjithatë, është ajo që kërkon nga Kuvendi të zotohet se do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga procesi i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Rezoluta nuk saktëson se cilat do të jenë obligimet”, ka thënë Visar Ymeri.
Sipas tij, Rezoluta është një tentim i hapur i Qeverisë së Thaçit t’i mbulojë koncesionet që ai është gati t’i bëjë në negociatat me Serbinë. “Kështu të kontrabandohet statusi i veçantë për Veriun e vendit, si çmim për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë”, ka thënë Ymeri, e menjëherë pas kësaj ka prezantuar Projektrezolutën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Por u injorua totalisht nga kolegët, të cilët më pas vazhduan diskutimin për disa çështje teknike që kanë të bëjnë me tekstin e Rezolutës.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri ka kërkuar nga ekzekutivi që t’i përmbushë obligimet që dalin nga Rezoluta, derisa e ka vlerësuar si moment të rëndësishëm fillimin e procesit të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. “LDK’ja e vlerëson si një moment të rëndësishëm fillimin e këtij procesi, i cili sigurisht do të marrë kohë, nuk do të jetë i lehtë. Por është diçka që ky shtet, qytetarët tanë e kanë pritur që finalisht të jemi shtet, që nuk do thotë që jemi nën vëzhgim, por shtet që do të qeveriset nga institucionet tona të pavarura dhe dëshirojmë të besojmë që të gjitha ato që dalin si obligime nga kjo draftrezolutë, që më vonë besojmë se do të bëhet rezolutë, do të kryhen nga ata që janë përgjegjës për këtë, në radhë të parë Qeveria”, ka thënë Beqiri.
Ndërkaq, vërejtjet e tij në lidhje me draftrezolutën i dha Sabri Hamiti, i cili nuk u pajtua me mospërfshirjen e disa pikave në të. “Unë mendoj që kjo dosje që kemi përpara do të duhej të ishte e plotë dhe në këtë nënkuptoj vendimin e 24 janarit të Grupit Ndërkombëtarë për përfundimin e mbikëqyrjes, një deklaratë të cilën e kanë nënshkruar liderët e partive politike dhe nën tre, kjo propozimrezolutë, sepse janë referenca në njëra-tjetrën”, ka thënë Hamiti.
Në përgjithësi, dokumentin e miratuar të martën e cilësoi si tejet të rëndësishëm dhe jetik për Kosovën.
Ndryshe, një ndër pikat e projektrezolutës së miratuar dje në Kuvend, fton Qeverinë e Kosovës në konsultim të ngushtë me udhëheqësit e partive politike në Parlament, Grupit Drejtues Ndërkombëtar si dhe Përfaqësuesin Ndërkombëtarë Civil që të miratoje legjislacionin e nevojshëm për kompletimin e zbatimit të Planit Gjithëpërfshirës për statutin e Kosovës, të propozuar nga Presidenti Ahtisari. “Në mbështetje të Nenit 71 të Rregullores së Kuvendit, autorizojmë Komisionin e tashëm ‘ad hoc’ për reformën kushtetuese ligjore, që të përgatisë amendamentet kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, si dhe të përgatisë amendamentet kushtetuese legjislative të hartuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për miratimin përfundimtar nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në pikën e fundit të draftrezolutës.
Hajredin Kuçi ndërkaq është shprehur i bindur para mediave se deri në gjysmën e parë të këtij viti, do të përgatitet legjislacioni i nevojshëm për të përfunduar procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë.