E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në modë, kontratat e shkurtra

Kontratat gjashtëmuajshe kanë zënë rrënjë në futbollin kosovar. Klubet kanë gjetur një konsensus me lojtarët, duke nënshkruar kryesisht marrëveshje për gjysmë viti. Kjo mënyrë po u shkon për shtati të dyja palëve. Klubet nuk kanë buxhet afatgjatë dhe nuk mund të garantojnë paga për një vit, kurse lojtarët nuk u besojnë atyre për më gjatë dhe ndihen më të sigurt për këtë periudhë.

Kohëve të fundit, në futbollin kosovar është bërë trend kontrata gjashtëmuajshe, e cila nënshkruhet në mes të klubeve dhe lojtarëve. Shkurtimi i periudhës së kontratës nga një vit, siç ka ndodhur në shumicën e rasteve në futbollin e pasluftës, në gjysmë sezoni, po u shkon për shtati edhe klubeve edhe lojtarëve.

Klubet nuk kanë buxhet afatgjatë, kështu që janë të sigurt se mund t’i paguajnë lojtarët e tyre të paktën për gjysmë sezoni. Edhe lojtarëve po u shkon për shtati kjo praktikë, pasi që nuk ndihen të sigurt se do të paguhen rregullisht.

“Lojtarët dhe klubet bëjnë një konsensus për arsye se klubet nuk po bëjnë plane afatgjate, krejt po shkojnë me periudha afatshkurta, veç Prishtina ka kontinuitet, por edhe Trepça ’89. Të tjerat kanë oscilime financiare, kështu që nuk mund të bëjnë kontrata afatgjate. Përpos këtyre dy klubeve, vetëm Vëllaznimi i ka punët më mirë në 2-3 ditët e fundit, kurse klubet e tjera kanë borxhe”, thotë për Express menaxheri Ismet Munishi.

“As lojtarët nuk u besojnë klubeve, prandaj vendosin të nënshkruajnë për gjashtë muaj. Klubet nuk po arrijnë që lojtarët kualitativë t’i mbajnë, duke nënshkruar me ta kontrata 2-3-vjeçare. Po të ishin më stabile, klubet do të nënshkruanin me lojtarë më gjatë”, vazhdoi ish-futbollisti i njohur kosovar.

Njëri prej futbollistëve që e praktikon kontratën gjashtëmuajshe është edhe Robert Gjeraj. Futbollisti prizrenas kishte nënshkruar gjatë verës për gjysmë sezoni me Vëllaznimin. Ish-futbollisti i Lirisë, i Besës dhe i Ballkanit i tregon arsyet pse futbollistët po nënshkruajnë vetëm për gjysmë sezoni.

“Së pari, nuk ndihemi të sigurt, pasi që nuk jemi të mbrojtur. Kontratat nuk janë profesionale, për këtë klubi nuk të paguan ashtu siç je marrë vesh me të, sepse nuk kemi shoqatë të lojtarëve dhe nuk jemi të mbrojtur as nga Federata. Po ashtu, as vetë nuk jemi të sigurt nëse do të rrimë më gjatë në atë klub, për atë nënshkruajmë për periudhë të shkurtër. Nëse nuk luan, nuk paguhesh siç je marrë vesh në fillim, në kontratë nuk shkruan kurrfarë neni. Për këtë nuk nënshkruajmë për periudhë afatgjate”, deklaroi Gjeraj.

Besa është njëra prej skuadrave që e përdor ‘modën e re’ të kontratave gjashtëmuajshe me lojtarët e saj. Pamundësia që të sigurojë kontinuitet të të ardhurave ka bërë që pejanët të shkojnë në këtë mënyrë.

“Ne nuk mund të sigurojmë të ardhura në vazhdimësi. Varemi prej donatorëve dhe disponimit të tyre, prej mundësive dhe pamundësive të tyre dhe prej dëshirës ose mosdëshirës që të financojnë. Për këtë nuk mund t’u premtojmë lojtarëve që do të kenë kushte të njëjta si në vjeshtë ashtu edhe në pranverë, ngase ndryshon donatori”, thotë kryetari i Besës, Bakir Burri.

“Edhe lojtarëve po u konvenon kjo mënyrë, ngase po ndihen fleksibilë, më komodë dhe më të lirë. Nëse kanë ndonjë ofertë, ata largohen më lehtë në gjysmë të sezonit dhe fitojnë më shumë para. Andaj, atyre u shkon më shumë për shtati kontrata gjashtëmuajshe”, nënvizoi Burri.

Derisa në ekipet evropiane kontrata gjashtëmuajshe përdoret kryesisht për huazimin e lojtarëve, në Kosovë është bërë ‘modë’ e re që klubet të nënshkruajnë me lojtarë vetëm për gjashtë muaj. Në janar, para se të mendojnë për përforcime, klubet e Superligës fillimisht duhet të mendojnë se si t’i ritransferojnë lojtarët e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›