Bayern, mbi një milion kërkesa për bileta

Pasi ndeshja e dytë gjysmëfinale në Santiago Bernabeu shkoi në penallti, portieri Manuel Neuer u bë hero i Bayernit duke pritur goditjet nga Cristiano Ronaldo dhe Leite Kaka, kurse Sergio Ramos qëlloi mbi portë. Bayerni tani përballet me Chelsean në Munich më 19 maj kurse bavarezët do të hedhin short për të përcaktuar se kush prej mbi një milion kërkesave do të marrë një prej 17.500 biletave të çmueshme të dhëna për klubin nga UEFA.
Zëvendës-kapiteni i Bayernit, Bastian Schweinsteiger realizoi penalltinë e fitores (3-1), pasi rezultati i përgjithshëm në kohën e rregullt ishte 3-3.
“Jemi të gjithë të vdekur, por të pushtuar nga gëzimi. Prej kur ishte marrë vendimi se finalja do të jetë në Munich, ne të gjithë kishim vetëm një synim: të jemi aty. Tani e kemi edhe një ndeshje në shtëpi dhe duam ta fitojmë. E vetmja gjë që më sillej në kokën time ishte ta dërgoj topin në rrjetë”, deklaroi Schweinsteiger.