E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bayern më afër finales

Bayern Munchen, të mërkurën mbrëma ka shënuar fitore në shtëpi ndaj Lyonit me rezultat minimal 1:0, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Bavarezët - të udhëhequr nga Arjen Robben – nga fillimi i takimit dominuan në fushën e blertë, duke krijuar shumë raste të mira shënimi, por të cilat assesi nuk ia dilnin t’i konkretizonin.

Mirëpo, dominimi i gjermanëve përballë francezëve u ndal në minutën e 37-të, kur ata mbetën me një lojtar më pak në fushë, pasi Franck Ribery u përjashtua prej lojës nga gjyqtari italian Roberto Rosetti, i cili e ndëshkoi yllin e Bayernit me kartuç të kuq, pas një ndërhyrje të ashpër të tij ndaj sulmuesit Lisandro Lopez.

Pas kësaj, forcat në terren ishin të baraspeshuara, përkundër faktit se Bayern megjithatë përpiqej më tepër për të shënuar gol.

Por, në minutën e 54-të të takimit, edhe Lyon mbeti me një futbollist më pak në fushë, pasi gjyqtari e ndëshkoi për të dytën herë me karton të verdhë mbrojtësin Toulalan, i cili u detyrua të largohej nga fusha.

Nga kjo minutë, të dyja ekipet luajtën me nga dhjetë lojtarë, por Bayern Munchen iu rikthye dominimit, ashtu siç e nisi takimin, duke krijuar raste të mira shënimi.

Mirëpo, vetëm njërin prej atyre rasteve bavarezët e realizuan. Lojtari kyç i kësaj skuadre, Arjen Robben, edhe njëherë u tregua i suksesshëm nga gjuajtjet e tij prej jashtë 16 metërshit, pasi edhe në këtë takim – sikurse ndaj Manchester United - shënoi gol nga një pozitë e tillë, duke e kaluar ekipin e tij në avantazh prej 1:0. Ngjau kjo në minutën e 69-të të ndeshjes. Deri në fund të takimit Bayern Munchen është përpjekur të shënojë edhe gola të tjerë, por nuk ia doli.

Megjithatë, pas një jave, përkatësisht të martën, do të zhvillohet ndeshja e kthimit ku edhe do të mësohet emri i finalistit të parë të Ligës së Kampionëve. Duhet theksuar se Bayern Munchen, pas kësaj fitoreje, është më afër finales së madhe, që zhvillohet me 22 maj në Madrid të Spanjës.

Liga e Kampionëve

Gjysmëfinalja
E mërkurë
Bayern M. – Lyon 1:0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›