E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern ëndërron, Roben fundos Lionin

Bajerni i Mynihut hedh një hap drejt finales së Champions League në Madrid. Gjermanët fitojnë 1-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale përballë Lionit, falë të papërmbajtshmit Arjen Roben. Zhgënjen Riberi, që pas skandalit me “drita të kuqe”, shfaqet nervoz dhe largohet nga fusha vetëm pas 37 minutave. Van Gal nuk heq dorë nga skema klasike 4-4-2, duke ia besuar repartin ofensiv dyshes Oliç-Myler. Van Bomel dhe Badshtuber janë zëvendësuar nga Pranjiç dhe Kontento. Në anën tjetër, trajneri i Lionit, Puel, ka zgjedhur skemën me një sulmues, ku Lisandro Lopez është mbështetur nga Ederson, Pjaniç e Delgado. Tulalan ishte spostuar në mbrojtje për të zëvendësuar Bumsong. Janë vendasit ata që e nisin vrullshëm takimin me Van Bujten dhe Shvajnshtajger, të cilët shpërdorojnë dy devijime të thjeshta pranë portës. Në të 18-n është Riberi që shfaqet i vetëm në zonë, pas disa driblimeve mbresëlënëse, por godet keq me të djathtën. Pak çaste pas tij, festivalit të gabimeve bavareze përpara portës i shtohet edhe Ivica Oliç. Në të 37-n regjistrohet edhe episodi që mund të shërbente si “match point” për Lionin. Frenk Riberi ndërhyn ashpër ndaj Lisandro Lopez dhe gjyqtari italian Rozeti nuk ngurron ta largojë nga loja me kartonin e kuq. Megjithëse luante me një lojtar më pak, menjëherë sapo ka filluar fraksioni i dytë i lojës, Bajerni ka kërkuar me ngulm avantazhin. Pranjiç vë në provë Loris, ndërsa pas tij është Myler ai që shpërdoron një mundësi të artë, ku është gjendur me portën e boshatisur pas daljes së bukur të Filip Lahm nga e djathta. Baraspesha numerike në fushë është kthyer kur kronometri tregonte 54 minuta: Xheremi Tulalan është ndëshkuar dy herë me karton të verdhë në harkun e pak sekondave dhe shkon në dush përpara shokëve. Me këtë ndryshim të situatës, gjermanët marrin sërish kontrollin e lojës dhe hidhen në kërkim të golit. Ideatori mbetet gjithmonë Roben, ndërsa Gomez nuk arrin të shënojë, edhe pse gjendej i vetëm me Loris. Por, në të 69-n, “gardiani” i Lionit është dorëzuar pas shfaqjes së radhës të Roben: nga e djathta, mesfushori me tipare sulmuese futet në qendër dhe lëshon një të majtë “helmuese”, që me devijimin e vogël nga Myler përshëndet rrjetën. Miqtë vuajnë goditjen dhe nuk arrijnë të reagojnë, duke lejuar Bajernin që të vendosë ritmin e lojës. Rreziku kryesor i bavarezëve vazhdon të jetë Roben, që vë në provë Loris edhe në dy momente të tjera. Por, Van Gal vendos ta zëvendësojë yllin holandez në të 85-n, duke krijuar edhe një situatë tensioni përpara stolit, ndërkohë që ndeshja vazhdonte. Me fitoren 1-0, Bajerni i Mynihut bën detyrën në shtëpi, edhe pse ky rezultat lë gjithçka të hapur për takimin e kthimit në “Stade de Gerland”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›