E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të finales

Pas Ligës së Kampionëve, radha i vjen kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të futbollit në kontinentin e vjetër, UEFA Europa League. Si ndeshje më e fortë në çiftet gjysmëfinale shihet ajo ndërmjet Atletico Madridit dhe Liverpoolit, që zhvillohet të enjten mbrëma.

Klubi anglez do të udhëtojë në Spanjë pa sulmuesin kryesor, Fernando Torres, që ka pësuar lëndim në gju, i cili do ta lërë jashtë fushës së blertë deri në fund të sezonit. Pesë herë kampioni i Evropës ka statistika të mira ndaj klubeve angleze në ish-Kupën UEFA, tash Europa League, pasi i kishte eliminuar pikërisht në gjysmëfinale Barcelonën dhe Deportivo Alavesin.

Ndërkohë, Atletico nuk ka fituar asnjë nga shtatë përballjet e fundit me klubet angleze, që kur e kishte mposhtur Aston Villën, në gjysmëfinale të Kupës UEFA, në vitin 1998. Kontingjenti i Liverpoolit ka udhëtuar me tren drejt Madridit. Menaxheri Rafael Benitez e pranon se kjo mund t’i lodhë lojtarët e tij, por pret nga ta që ta japin maksimumin

“Ata kanë ekip mjaft të mirë dhe ofanziv. Njerëzit flasin për Sergio Agueron e Diego Forlanin, por ata kanë edhe Siamon dhe një mentalitet sulmues. Por, ne kemi marrë informata nga Maxi Rodriguezi dhe Torresi, që kanë luajtur atje më parë dhe tash kemi disa ide ideale se si t’i ndalim ata”, u shpreh trajneri spanjoll.

Për Benitezin, mungesa e Agueros, që është i diskualifikuar, do të jetë një plus për anglezët, por spanjolli e pranon se Atletico është i rrezikshëm në të gjitha anët. Pasi e eliminoi Valencian në çerekfinale, trajneri i Atleticos, Quique Sánchez Flores, synon ta mposhtë edhe një ekip të madh siç është Liverpooli, për ta siguruar një vend në finale.

“Gjasat për të dyja ekipet janë 50 me 50 për qind. Ekipi im duhet ta japë maksimumin. Mentaliteti, mënyra e lojës dhe angazhimi, janë gjërat që po i bëjmë mjaft mirë dhe duhet ta mbajmë këtë linjë. Kështu që nuk shoh asnjë pengesë që mund të na dalë përpara, në synimet tona. Liverpool është ekip i ekuilibruar dhe kompakt dhe të gjitha rezultatet i arrin falë lojës kolektive”, ka komentuar trajneri Sanchez Flores.

Të enjten zhvillohet edhe ndeshja tjetër gjysmëfinale, Hamburg-Fulham. Gjermanët janë në kërkim të finales, e cila do të zhvillohet pikërisht në stadiumin e tyre. Ndërkohë, anglezët pretendojnë ta vazhdojnë rrugën e tyre drejt finales, pasi befasuan Juventusin dhe Wolfsburgun.

UEFA Europa League

Gjysmëfinalja
E enjte ora
Atletico – Liverpool 21:05
Hamburg – Fulham 21:05

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›