E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çartet Balotelli

Mario Balotelli nuk di të ndryshojë. Futbollisti i ri italian, me prejardhje ganeze, është rebeluar sërish, në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndërmjet Interit dhe Barcelonës.

20-vjeçari është inkuadruar në lojë në fund të ndeshjes, por gjestet e tij i kanë kaluar të gjithë kufijtë. Fillimisht, përfaqësuesi U21 i Italisë, i ka fyer tifozët Nerazzurrë, ndërsa pas ndeshjes e ka hequr fanellën dhe e ka gjuajtur në tokë.

Për këtë, tifozët e Interit e kanë pritur lojtarin në garazhin e stadiumit, pranë veturës së tij, për ta sulmuar, por janë ndalur nga sigurimi.

Pas ndeshjes, ishin të shumta deklaratat që vinin në drejtim të lojtarit të padisiplinuar, Balotelli. “Kam parë një gjë të shëmtuar. Shumë njerëz më kanë kritikuar se nuk kam ditur ta edukoj”, ka thënë trajneri i Interit, Jose Mourinho. Ndërkohë, shoku i skuadrës, Dejan Stankovic, sulmuesin e ri italian e ka quajtur “fëmijë”.

Mediat italiane shkruajnë se Balotelli nuk ka shpëtuar lehtë, pas gjesteve që bëri. Në fakt, talenti italian, në tunelin e stadiumit është sulmuar fizikisht nga bashkëlojtari i tij, Marco Materazzi. Këtë skenë e ka parë edhe sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic.

“Materazzi e ka sulmuar Marion në tunel. Nuk kam parë kurrë në jetën time një gjë të tillë. Nëse do të më sulmonte mua ashtu, do ta përplasja për toke për dy sekonda”, ka thënë ish-futbollisti i Interit.

As presidenti i Interit, Massimo Moratti nuk e ka pritur mirë gjestin e Balotellit. Por, ai i ka qetësuar gjakrat. “Është një djalosh, i ndodhin këto gjëra, por sinqerisht sonte mendoj vetëm për fitoren. Kjo është një plagë që shërohet dhe një mësim në jetë, që besoj se do të jetë i dobishëm për të që mos të përsëriten gjëra të tilla”, theksoi Moratti.

Megjithatë, duket se trajneri Mourinho ka vendosur ta falë Balotellin, të cilin mund ta ftojë për ndeshjen e së shtunës ndaj Atalantës. Por, mllefi mbetet te tifozët e Interit, të cilët kërkojnë largimin e futbollistit, në fund të sezonit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›