E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bayerni, 928 minuta pa pësuar gol

Nga Express më 29 shtator 2011 në ora 08:26

Bayern Munich po e mahnit Evropën. Pasi e filloi sezonin në mënyrën më të keqe të mundshme, duke pësuar humbje në shtëpi në xhiron e parë të Bundesligës nga Borussia Monchengladbach, gjërat filluan të ndryshonin për të mirë për gjigantin bavarez.

Ekipi i drejtuar nga Jupp Heynckes lëre që nuk ka pësuar asnjë humbje nga ajo kohë, por nuk ka pranuar më asnjë gol të vetëm. Do të thotë portieri Manuel Neuer, i cili gjatë verës u transferua në Allianz Arena nga Schalke, nuk e ka nxjerrë topin nga rrjeta që 928 minuta. Një gjë të tillë nuk e ka bërë asnjë skuadër evropiane këtë sezon.

Goli i fundit dhe i vetëm i këtij sezoni që e ka pësuar Bayerni është ai ndaj Monchengladbach, kur në minutën e 62-të shënoi sulmuesi De Camargo, pas një pakujdesie të portierit Neuer dhe mbrojtësit Boateng.

Gjatë kësaj periudhe, Bayerni ka shënuar plot 28 gola. Dy të fundit, skuadra gjermane i realizoi të martën mbrëma në fitoren 2:0 ndaj Manchester Cityt, në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Një fakt interesant është se Bayerni po luan për mrekulli edhe pa njërin prej lojtarëve kryesorë, Arjen Robben, i cili është i lënduar që një kohë. Sulmi i Bayernit udhëhiqet nga Mario Gomez, i cili ka realizuar 10 gola deri tash.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›