E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojtarët e Rabodniçkit, doping pa dëshirë

Nga Express më 29 shtator 2011 në ora 08:29

Ishin të dopinguar, por nuk e dinin. Kjo u ka ndodhur lojtarëve të Rabotniçkit, skuadër e eliminuar nga Lazio në play-offin e Europa League këtë sezon. Dy lojtarët e klubit maqedonas, Milovan Petrovic e Dino Najdoski, kanë rezultuar pozitivë në kontrollin e anti-dopingut pas ndeshjes kundër Lazios.

Klubi maqedonas insiston se nuk ishte në dijeni për një gjë të tillë. Pasi e kanë marrë lajmin, udhëheqësit e klubit të gjitha përgjegjësitë ia kanë drejtuar stafit mjekësor.

“Ka të dhëna se lojtarët kanë përdorur substanca të ndaluara. Kjo substancë në veçanti, nga 1 janari 2011 figuron në listën B të produkteve të ndaluara nga UEFA”, thotë drejtori sportiv i klubit, Igor Angelobski për të përditshmen maqedonase ‘Makedonski sport’.

Ai po ashtu ka njoftuar se i tërë stafi mjekësor i klubit është shkarkuar, pasi kishte marrë një produkt të ndaluar nga një farmaci amerikane. Ky produkt shërbente për shtimin e masës muskulore të lojtarëve, por që ishte i ndaluar.

Mirëpo, nga Nyoni - ku gjendet shtëpia e futbollit evropian - arrijnë zëra se Rabotniçki mund ta pësojë keq. Pritet të anulohen të gjitha rezultatet e këtij ekipi në Evropë këtë sezon dhe pritet të rezervohet një sanksion i rëndë për sezonet e ardhshme. Kurse, as lojtarët Petrovic e Najdoski nuk do të shpëtojnë lehtë. Ata do të diskualifikohen për një periudhë prej 12 deri në 14 muaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›