Tevez-City, drejt ndarjes

Roberto Mancini insiston se përvoja e Carlos Tevezit në Manchester City ka marrë fund, pasi sulmuesi argjentinas refuzoi të luante të martën mbrëma në humbjen 2:0 nga Bayerni, në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Tevez i mllefosur kishte thënë ‘Jo’, kur i ishte kërkuar që të futej në fushë nga trajneri Mancini, i cili kërkonte freski në sulm, pasi që bavarezët shënuan dy herë me Mario Gomezin.
“Ka mbaruar. Ai refuzoi të futej në lojë. Unë nuk e pranoj këtë. Ai nuk do të luajë me mua më. Nuk e dua një situatë tjetër si kjo sonte, kurrë më. Më mua ai e ka përfunduar”, ka thënë i nervozuar pas ndeshjes trajneri italian.
“Kjo nuk ndodh kurrë në klubet si Manchester United, Bayern Munich apo Milan. Kjo nuk mund të ndodhë në një klub të madh, që një lojtar të refuzojë t’i ndihmojë shokët në një ndeshje të rëndësishme si kjo e sotmja. Në zëvendësimin e parë, unë vendosa ta ndërroj Dzekon me De Yong. Më pas Tevez refuzoi të futej në fushë. Ai do të ishte zëvendësimi i dytë. Unë e vendos këtë, jo Carlos”, shtoi Mancini.
Ai paralajmëroi se në ditët e ardhshme do të bisedojë me pronarin e klubit, Khaldoon al Mubarak rreth çështjes Tevez. Ish trajneri i Interit thotë se nëse një lojtar paguhet me para të majme për të luajtur dhe refuzon për ta bërë këtë, ai nuk do të luajë më kurrë për Citizens.
Boshnjaku Edin Dzeko po ashtu ishte i zemëruar me vendimin e Mancinit pas zëvendësimit të tij. “Dzeko ishte i zhgënjyer, por menaxheri mund të bëjë çka mendon se është më mirë. Asnjë lojtar nuk mund të luajë mirë në çdo ndeshje. Më duhet të flas me të. Herën tjetër ai do të qëndrojë në bankinë me mua”, vazhdoi Mancini.
Pasi dëgjoi këto deklarata, Tevez e ka mbrojtur veten, duke dhënë versionin e tij. “Unë kam qenë profesionist gjatë gjithë kohës sa kam qëndruar në këtë klub. Fansat e dinë që kur jam në fushë, e jap maksimumin. Sezonin e kaluar isha golashënuesi më i mirë dhe e dhashë opinionin tim se dëshiroja të largohesha për shkaqe familjare. Në Munich isha i gatshëm të luaja. Unë nuk kam refuzuar kurrë të luaj për Cityn, por janë detaje që nuk është koha më e mirë për t’i thënë”, deklaroi ish futbollisti i Manchester Unitedit.
Numri 2 i Cityt, David Platt ka thënë se gjatë këtyre ditëve do të sqarohet gjithçka rreth kësaj çështjeje, pasi të bisedojë me palët e përfshira në këtë rast.