E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dimri i majit”, stuhi në det e tokë



VLORE/ DURRES

Moti i keq dhe deti i trazuar kanë shkaktuar dëme të mëdha gjatë mëngjesit të djeshëm në qytetet bregdetare të Vlorës e Durrësit. Tragete me udhëtarë kanë mbetur në det të hapur për mbi 8 orë, pa mundur të ankorohen në port, si pasojë e dallgëve të forta.
Në Vlorë, linja elektrike, tabela reklamash të mëdha në rrugët e qytetit e pemë janë rrëzuar. Stuhia me shi e erë, e cila vazhdoi për disa orë rresht, shkaktoi vështirësi në qarkullimin normal të banorëve. Një qytetar u lëndua, pasi një pemë e shkëputur nga fuqia e erës i ra mbi trup, ndërsa kalonte në zonën e Skelës. Nga kjo pjesë e qytetit, deri në zonën e Ujit të Ftohtë, ka pasur më shumë pasoja, ku janë rrëzuar tabelat e reklamave të mëdha, shtylla neonesh, si dhe janë thyer shumë xhama të banesave dhe lokaleve. Dëmtime ka pasur edhe në linjat elektrike. Tre lagje të qytetit, prej mesnatës së të premtes e deri në orën 16:00 të ditës së djeshme, nuk u furnizuan me energji. Vështirësi të mëdha kanë hasur mjetet e lundrimit, për shkak se era e fuqishme bëri që deti të kishte dallgë, nga 6 deri në 8 ballë. Për pasojë, një traget me 82 pasagjerë në bord nuk arriti të ankoronte në Portin e Vlorës në orarin e caktuar. Nëse në kushte normale, udhëtarët do të zbrisnin në orën 07:00 të mëngjesit, ata kanë mundur të dalin në tokë vetëm pas 9 orësh. Kapitaneria e Vlorës mori mëngjesin e djeshëm sinjalin Sos, nga një peshkarexhë pranë zonës së Karaburunit, e cila ishte mbushur me ujë. Ndërhyrja e shpejtë e mjeteve të shpëtimit bëri shpëtimin e ekuipazhit të saj. Stuhia detare ka prekur dhe Durrësin, duke sjellë vështirësi serioze në trafikun detar. Në dispozicion të përballimit të situatës u vunë rimorkiatorët. Deti i trazuar pezulloi lundrimin e anijeve të tonazhit të vogël dhe të mesëm, teksa edhe tek anijet e tonazhit të lartë ka sjellë vështirësi. Burimet nga Kapitaneria thanë se faktorin atmosferik po e vuajnë edhe tragetet e linjës së Durrësit me portet e Apenineve lindore. Trageti "Arbëria", i nisur nga Italia me destinacion Durrësin, nuk ka mundur dot të futet në kanalin hyrës së portit, për t'u ankoruar në kalatë, për shkak të dallgëve me forcën 6-7 ballë. Mjeti ka qëndruar në pritje të uljes së shpejtësisë së erës dhe të rënies së lartësisë së dallgëve. Në tragetin "Arbëria" ndodheshin mbi 100 pasagjerë, të cilët kanë qëndruar për rreth 8 orë në det të hapur, pak milje larg brigjeve të qytetit. Vonesa të tilla kanë pasur dhe tragetet që vinin nga Bari. Nga ana tjetër edhe flota e peshkarexhave është bllokuar krejtësisht. Asnjë prej 100 anijeve të peshkimit, nuk ka guxuar të dalë për gjueti në këto kushte, kur moti u prish papritur. Edhe "flota" e sanalleve (barkave të vogla), e ndodhur në Currila, Kallm, Golem, Spille, Hidrovor, Hamallaj dhe Rodon, e cila nuk gjuan më larg se 500-1000 metra nga bregu, ka pezulluar gjuetinë, pasi ekziston rreziku i lartë i përplasjes me shkëmbinjtë. q.b/o.u

Durrës, anija ngec në rërë

Stuhia në gjirin e Durrësit këput spirancën e anijes 3000 tonëshe "Emelie". Anija me flamur shqiptar ka ngecur në cektësirën e plazhit "Apolonia" në orën 10:30, pak kohë pasi këputi spirancën. "Emelie" ishte pa ngarkesë dhe gjendej në Radën e portit. Anija me gjatësi 80 metra, u përball me detin me forcë 7 ballë. Në bordin e saj gjendeshin 10 marinarë, të cilët nuk janë lënduar nga përplasja me rërën. Sipas burimeve, edhe dy anije të tjera kanë rrezikuar të ngecin në rërë, por ndezja e motorëve në kohë ka shmangur përplasjen me plazhin.

Moti i keq ndërpret furnizimin me energji

Moti i keq gjatë ditës së djeshme ka shkaktuar mes të tjerash edhe probleme me furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve në disa zona të kryeqytetit dhe në rrethe. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, duke vlerësuar këtë situatë ka organizuar punën në terren, duke bërë të mundur riparimin e linjave të dëmtuara dhe ka rikthyer energjinë pas disa orësh. Në kryeqytet ka pasur probleme me zonën e Dajtit, ndërkohë që sa i përket rretheve situata është shfaqur problematike, sidomos për qytetin e Durrësit. Stuhia me erë dhe shi, që ka vazhduar gjatë gjithë ditës, ka shkaktuar kryesisht dëmtime në linja të cilat janë riparuar, ndërkohë që OSSH duke vlerësuar situatën e motit në vend garantoi se janë marrë masa për të vepruar në çdo moment.

Sarandë, shiu nuk ndal pushuesit

SARANDE - Një fundjavë e pazakontë ka qenë kjo e fundit në qytetin e Sarandës. Pavarësisht motit me shi, qindra vetë kanë vizituar qytetin bregdetar. Nxënës shkollash të ardhur nga qytete ndryshme të vendit si nga Berati, Tirana, Pogradeci, por edhe nga Kosova kanë mbipopulluar qytetin, duke filluar që nga dita e enjte. "Rreth 100 autobusë, 3 mijë mjete të vogla, 500 motorë të markave të ndryshme kanë lëvizur gjatë çdo dite të fundjavës në këtë qytet", pohon shefi i sektorit të Qarkullimit Rrugor të Sarandës, Gjylani Shehu. Me këtë mbipopullim të pazakontë, këtij sektori i është dashur të bëjë një punë të dyfishtë, për të menaxhuar situatën e mbingarkuar me lëvizje mjetesh, jo vetëm nga të gjitha hyrje-daljet e qytetit, por edhe në brendësi të tij, dhe sipas burimeve për asnjë moment nuk është bllokuar asnjë aks rrugor i qytetit. Edhe pse ka pasur shumë lëvizje, nuk është shënuar asnjë incident apo përplasje mjetesh. Për mbipopullim me të ardhur për fundjavë në Sarandë flasin edhe hotelierët, sipas të cilëve të gjitha hotelet kanë qenë plot. Megjithë motin e përkeqësuar dhe shtimin e dallgëzimit në det, edhe një traget me turistë të huaj ka prekur Sarandën, ndërsa nuk është ndërprerë lundrimi i trageteve të linjës Korfuz-Sarandë e anasjelltas. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›