E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baza e pyet për Nanon, Rama shmang përgjigjen

TIRANE-Kryetari socialist, Edi Rama nisi dje turin e takimeve në bazën e Partisë Socialiste, duke e filluar me socialistët e Malësisë së Madhe dhe Shkodrës. Këtë fundjavë pritet që Rama të shkojë edhe në Korçë e Pogradec. Ndryshe nga takimet e mëparshme, ku Rama shoqërohej nga deputetët e zonave përkatëse dje në Koplik dhe në Shkodër ai nuk ka patur me vete deputetët. Pa praninë e të zgjedhurve të këtyre zonave dhe pa praninë e medias, Rama mblodhi në të dy zonat vetëm kryetarët e organizatave të PS-së.

Burimet nga mbledhja në Shkodër bënë të ditur për gazetën se Rama ka anashkaluar tu përgjigjet drejtuesve vendorë në lidhje me një pyetje që i kanë bërë për mënyrën se si do të sillen tani, që ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano ka shpallur lëvizjen e tij të re në bazën e socialistëve. Rama s’ka pranuar të japë ndonjë orientim në lidhje me këtë lëvizje të paraardhësit të tij, por mësohet se ka kërkuar nga drejtuesit vendorë më shumë punë për anëtarësime të reja në parti.

Në takimin që u mbajt në një nga lokalet e qytetit të Shkodrës, Rama kërkoi riorganizim të partisë, një punë më të madhe në seksione, në prag të përgatitjes së zgjedhjeve të përgjithshme elektorale që do të mbahen verën e vitit që vjen. Të njëjtat burime nga të dy takimet thanë se, kreu socialist i ka dëgjuar më shumë se sa ka folur. Ai kërkoi prej vendorëve që të shprehnin pakënaqësitë që i pengonin ata në punën e tyre.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›