E Diel, 1 Nëntor 2026

Pritet vendimi i Kushtetueses për mandatin e Presidentes Jahjaga

PRISHTINE-Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pritet të publikojë opinionin e saj lidhur me ndryshimet e kushtetutës, që përfshijnë veç tjerash edhe çështjen e mandatit të presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga.

Komisioni për ndryshime kushtetuese kishte dërguar që në pranverën e këtij viti, njëmbëdhjetë amendamente për ndryshimin e Kushtetutës në Parlament dhe prej andej ato ishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit kishte kërkuar një opinion të presidentes lidhur me këto ndryshime. Presidentja Jahjaga në përgjigjen e saj, ndërkaq ka theksuar se propozimi për shkurtimin e mandatit të saj nuk është në pajtim me Kushtetutën.

Presidentja Jahjaga u zgjodh në këtë post më shtatë prill të vitit 2011 pas një marrëveshjeje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, të lehtësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell.

Marrëveshja kishte mundësuar tejkalimin e situatës politike në vend të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, se zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit, në shkurt të vitit 2011, ishte jo kushtetuese.

Marrëveshja përfshinte edhe pajtimin për ndryshimin e kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta. Sipas kësaj marrëveshjeje zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë.

Atëbotë parlamenti miratoi edhe një rezolutë, me të cilën përkrahte marrëveshjen.

Burimet e afërta me Gjykatën Kushtetuese, pohojnë se sipas interpretimit të saj, zonja Jahjaga ka mandat të plotë pesëvjeçar, një mandat që ishte deklaruar edhe në kohën e zgjedhjes dhe betimit të saj në Parlament.

Askush nga autoritetet nuk ka dashur të komentojë këtë çështje në pritje të sqarimit nga Gjykata, ndërsa më herët presidentja Jahjaga kishte theksuar se do të respektojë edhe marrëveshjen por edhe kushtetutën.

Që nga fillimi i punës së komisionit për ndryshime kushtetuese ka pasur shumë debate rreth kësaj çështjeje, nëse kushtetuta duhet t’i nënshtrohet marrëveshjes, apo kjo e fundit duhet të pushojë përballë Kushtetutës si akti më i lartë juridik i një vendi.

(d.b/VOA/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›