Baza socialiste vazhdon akuzat ndaj Ramës: Njeriu i krizës po shkatërron strukturat e brendshme të partisë

Baza socialiste vazhdon të akuzojë kryetarin Edi Rama, si njeriu krizë, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, që prodhoi krizë në të gjithë Shqipërinë. Sot, edhe të tijët i faturojnë një tjetër krizë, atë brenda Partisë Socialiste. Ajo e shfaqur në zgjedhjet për krerët e socialistëve në rrethe ka prekur edhe degën e Shkodrës. Njëri nga kandidatët është tërhequr nga gara për arsye të paqarta, ndaj edhe votimet u shtynë. Ndërsa kryetari aktual i Partisë Socialiste të kryeqendrës së veriut e akuzon drejtpërdrejt Edi Ramën, se me këto zgjedhje po përpiqet të realizojë qëllimin e mbrapshtë të shkatërrimit të strukturave të Partisë më të madhe në opozitë.
Kryetari i PS Shkodër, Edip Shiroka deklaron për TV Klan se “është diçka më e thellë, jo sipërfaqësore sa duket”. “Kjo është politikë e mbrapshtë që ka bërë dhe vazhdon të bëjë Edi Rama”- thotë ai.
Për kreun e PS në Shkodër garuan katër kandidatë, mes tyre dhe një biznesmen. Anëtarët e Asamblesë Socialiste të Shkodrës thonë se të katër kandidaturat janë emërime të Ramës, e që përmes tyre, ai po kërkon të vendosë në krye të strukturave njerëz që i shërbejnë vetëm atij dhe klikës së tij.
Sipas Statutit të ri të PS-së të miratuar në Kongresin e 18 prillit 2010, kandidaturat për kryetar partie propozohen nga Asambletë Socialiste të njësive vendore të rretheve dhe miratohen nga Kryesia e PS-së. Por javën që shkoi, kryesia e Partisë Socialiste rrëzoi më tepër se gjysmën e kandidaturave të propozuara nga baza, çka shkaktoi reagim të ashpër të disa anëtarëve të saj dhe të bazës socialiste në Korçë, Përrenjas, Vlorë e rrethe të tjera të vendit.