Kreu i KQZ-së, Ristani: Ligji lejon hetimin e materialeve zgjedhore, fletët e votimit digjen

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani thotë se politika duhet t’i referohet zbatimit të ligjit, kur bëhet fjalë për kërkesat lidhur me zgjedhjet e kaluara. Ristani përmend se ligji parashikon qartë se cilat materiale duhet të hetohen, siç janë procesverbalet, ndërsa fletët e votimit sipas nenit 178 të Kodit Zgjedhor, digjen.
Në një kohë kur politika duket e angazhuar vetëm në nivel deklaratash në ndryshimet e pritshme të Kodit Zgjedhor, kreu i institucionit kryesor përgjegjës për zgjedhjet, kujton afatet e ngushta të procesit, në raport me zgjedhjet lokale, nëse ndryshimet do të preknin thelbin. Thelbi për Arben Ristanin mund të ishte për shembull ndryshimi i sistemit apo dhe futja e një praktike të re votimi, siç mund të ishte vota elektronike. Këto do të kërkonin në kohë, në mos duhet të kishin filluar, thekson Ristani.
Si për të mbështetur këtë arsyetim, kreu i KQZ kujton dhe konstatimet në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODHIR për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Vëzhguesit nënvizuan se mungesa e respektimit të afateve, prodhoi probleme të administrimit të zgjedhjeve.
Por krahas reformës zgjedhore, e cila ende të mbetet e paqartë sesa thellë do të shtrihet, partitë do të hetojnë zgjedhjet e 28 qershorit, siç sugjeron rezoluta e PE në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Për kreun e KQZ, më shumë se komentet e partive, rezoluta dhe ligji zgjedhor janë të qartë kur ndajnë materialet zgjedhore që do të hetohen dhe ato që do të asgjësohen, në këtë rast fletët e votimit.
Ngërçi politik, thotë Ristani ka mbajtur peng zbatimin e nenit 178 të Kodit Zgjedhor. çështje, e cila gjithsesi nuk do të kalojë pa vendimmarrje në mbledhjen e parë të KQZ që do të përgatisë infrastrukturën për zgjedhjet lokale të 2011.