Meta: Rama jo serioz, pretendimet janë alibi për të dëmtuar zgjedhjet lokale
Zv/kryeministri Meta fton Ramën për zbatimin e rezolutës së Parlamentit Evropian: Opozita t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, në të kundërt ngërçi është artificial
Pas kryeministrit Sali Berisha, është zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta që fton opozitën të angazhohet në realizimin e detyrave të ndërkombëtarëve. Kryediplomati shqiptar tha se zgjidhja e ngërçit politik është në dorë të opozitës dhe është detyrë e kësaj të fundit që kërkesat lidhur me zgjedhjet t’i adresojë te Gjykata Kushtetuese. “Opozita ka në dorë zgjidhjen e situatës politike duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Në të kundërt është alibi për të zgjatur krizën artificiale. Rezoluta PE është tepër e qartë. Përderisa ka mosmarrëveshje të thella. PS e konsideron hapjen e fletëve, si e drejtë kushtetuese dhe mazhoranca thotë se është antikushtetuese, e vetmja rrugë mbetet çuarja e kërkesës dhe dërgimi i saj nga PS, në gjykatën Kushtetuese. Dhe mazhoranca do respektojë vendimin e Gjykatës”- u shpreh zv/kryeministri Meta. Sipas tij PS i ka të gjitha mundësitë, dhe deputetët për t’ju drejtuar gjykatave. Sa i takon hetimit të materialeve zgjedhore- Meta saktëson-që ato të bëhet sipas Kodit Zgjedhor, pavarësisht se ky ligj u miratua me kundërshtimin e partisë që ai drejton, LSI. Për kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim instrumentet e zgjidhjes së krizës janë të shprehura në rezolutën për integrimin e Shqipërisë që Parlamenti Europian miratoi një javë më parë. Ai përshëndeti propozimin e kryeministrit Berisha për tju drejtuar opozitës për zgjidhjen e krizës duke punuar së bashku në implementimin e rezolutës së PE. “Por dëshiroj që dhe udhëheqësi i PS-së të ketë vullnet të plotë dhe të kuptojë qartë se integrimi i vendit drejt BE-së është përgjegjësi e të gjithë forcave politike”- deklaroi më tej, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta.
...