Shtyhet seanca e Dritan Dajti, mungon avokati mbrojtës
Dritan Dajti dhe avokati i tij mbrojtës nuk kanë qenë prezent në seancën e djeshme. Ndërsa vetë Dajti nuk ka pranuar të firmosë njoftimet e gjykatës, avokati, nga ana tjetër, ka munguar duke paraqitur një raport mjekësor se ishte prekur nga viruset e stinës. Trupi gjykues, pasi hapi seancën gjyqësore, e pa të arsyeshme ta shtyjë atë. Në të njëjtën kohë u bë edhe pezullimi i afateve të paraburgimit. Dritan Dajti, një prej personazheve të krimit në vend, akuzuar për vrasjen e katër punonjësve të policisë më 7 gusht 2009, nuk pranon të vijë në gjyq. Bashkë me Dajtin janë duke u gjykuar edhe kunati i tij dhe një oficer policie i Komisariatit të Durrësit. Për këta të fundit u kërkua veçimi i çështjes.
Kanos me armë të moshuarin, arrestohet i riu
TIRANË - Kanosi me pistoletë një person, kapet nga policia. 22-vjeçari Ermal Qyshka, lindur dhe banues në Tiranë, është arrestuar nga forcat policore të kryeqytetit në rrugën “Gjon Buzuku”. Mësohet se për motive të dobëta ai ka kanosur me pistoletë në shtëpinë e tij 63-vjeçarin Mefail Duka, banues në Tiranë. Në vendin e ngjarjes u kryen veprimet procedurale, ku u bë e mundur gjetja e armës pistoletë tip “Bereta” dhe 120 fishekë mod.56, 3 maska si dhe 2 copë paruke, të cilat autori i ngjarjes i kishte fshehur në shtëpinë e Dukës. Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa materialet do t’i kalojnë prokurorisë, për veprat penale të “kanosjes” dhe “prodhimit dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municioneve”.
Përfundon në spital polici i qarkullimit, në kërkim katër dhunuesit
ELBASAN - Katër të rinj sulmojnë patrullën e policisë dhe i dërgojnë në spital. Ngjarja në fjalë ka ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor Elbasan-Metalurgjik. Sipas të dhënave, mësohet se patrulla e policisë, që përbëhej nga punonjësit me inicialet I. L., A. K. dhe E. Z., i ka dhënë shenjën e ndalimit mjetit tip “Benz” veturë me targë EL 8512 B dhe mjetit tjetër tip “Benz” veturë me targë CK 51 FPC. Por, të dy drejtuesit e mjeteve, së bashku me pasagjerët e tyre, kane dalë menjëherë nga mjetet e tyre duke ofenduar e goditur me mjete të forta punonjësit e policisë, të cilët kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit dhe aktualisht ndodhen për kurim në Spitalin kirurgjik të Elbasanit. Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa mësohet se autorët e saj janë Saimir Sula, vjeç 32, banues në qytetin e Elbasanit; Ismail Korra, vjeç 45, Gazmir Pisha, vjeç 34 dhe Agron Pisha, vjeç 32; që të tre këta të fundit banues në fshatin Katundi i Ri të Elbasanit.
Vodhi një banesë, pranga 34-vjeçarit
SHKODËR - Forcat e policisë së Shkodrës kanë mundur të kapin në flagrancë një person, i cili ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se është autori i vjedhjes së një shtëpie private. Policia e Shkodrës bën të ditur se personi i ndaluar është Artur Fraketi, vjeç 34, lindur dhe banues në qytetin e Shkodrës, i dënuar më parë për veprën penale të "vjedhjes". Mësohet se ky person ka qenë i shpallur në kërkim nga policia për arsye se ndaj tij rëndon një vendim gjykate me tre muaj burgim, pasi më datë 25.01.2007 ka vjedhur me thyerje një banesë private në qytetin e Shkodrës. Nga ana e policisë u kryen veprimet e duhura procedurale dhe materialet në ngarkim të Fraketit i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprën penale të “vjedhjes”.
6 Shkurt 2010