E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baze: Tragjedia e Gërdecit, histori e pastër korrupsioni

Analisti Mero Baze ka treguar në një intervistë për "Shqip" detajet e hetimit që ai personalisht ka bërë mbi kompaninë e Delijorgjit. Baze e ka cilësuar tragjedinë e Gërdecit si një histori korrupsioni dhe një histori aksidenti. Analisti Baze, i njohur si njeri i afërt brenda Partisë Demokratike, ka deklaruar se "media ishte në anën e fatzinjve, ndërsa Berisha në anën e Fatmir Mediut". Ai kërkon që qeveria t‘i nënshtrohet votëbesimit

në Kuvend, por thotë se një emër potent për të zëvendësuar Mediun është Sabri Godo. "Ekziston vetëm një shpresë e vakët që për mua lidhet me emrin e Sabri Godos. Nëse ai rikthehet në krye të partisë urgjentisht këto javë, ai mund të jetë një ministër i mirë i Mbrojtjes. Ai ka përvojën e duhur, qetësinë e duhur dhe kulturën e duhur shtetërore për ta bërë atë punë dhe për t‘i ridhënë jetë asaj që ju e quani Parti Republikane", tha Baze.

Zoti Baze, ju ishit i pari që denoncuat në gazetë lobimin ndërmjet Mediut dhe kompanisë amerikane "Southern Amonition". Sipas jush, cila është pjesa e errët e kësaj marrëveshjeje?

Është një histori e pastër korrupsioni në të cilën unë kam ndeshur rastësisht muaj më parë, kur mësova se kompania e zotit Delijorgji shiste produkte plumbi në disa fonderi të vogla në Shqipëri dhe kërkonte paret pa faturë. Kjo më shtyu të hetoj se ku e gjente ai plumbin dhe me se merrej. Duke gërmuar më doli përpara një histori e tërë tipike mafioze, të cilën isha bërë gati ta bëja publike paditur se do të ndodhte shpërthimi. Për të qenë i sinqertë, unë do të fokusohesha te historia e korrupsionit dhe jo te rreziku civil që ajo përbënte, se për të nuk isha vetë aq i ndërgjegjshëm. Madje jo vetëm unë, por dhe një koleg gazetar i gazetës "New Jork Times", me të cilin konsultova disa prej fakteve që kisha grumbulluar lidhur me kompaninë amerikane, nuk kishte parandjenjën se aty do të ndodhte ndonjë tragjedi siç ndodhi, por kishte thjesht idenë se kishim të bënim me një trafik të pastër në industrinë ushtarake të mbështetur nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pjesa më e errët e kësaj historie është investimi personal i Fatmir Mediut në këtë aferë. Tentimi i tij që prokurimi të bëhej direkt nga Këshilli i Ministrave është skandaloz dhe i mjaftueshëm që ai tashmë të arrestohet për tentim të kapjes së shtetit për interesa private. Në relacionin që ai ka dërguar e shpall SAC si një nga tri kompanitë më të specializuara në botë për këtë punë, sidomos për kalibra fishekësh të vegjël, ndërkohë që siç rezulton, ajo është thjesht një kompani spekulative dhe pa autoritet për të qenë partnere e një qeverie të besueshme. Skenari, sipas meje, ka qenë i thjeshtë. Delijorgji ka marrë siguri nga autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes për këtë kontratë ka gjetur letrat e një kompanie amerikane jo serioze, u ka dhënë një përqindje të caktuar atyre dhe ka fituar një monopol fitimprurës që shkaktoi në finale një tragjedi të pashembullt. Problemi më i madh që unë shikoj nga pikëpamja politike është sikur të mos kishte ndodhur tragjedia. Sikur kjo të mos kish ndodhur dhe unë të botoja dokumentet, do të akuzohesha se mund të kem ndonjë interes personal, apo se mund t‘i kisha kërkuar ndonjë tender zotit Mediu dhe s`ma kishte dhënë. Kështu kanë vepruar deri më sot për gjithë akuzat që u janë bërë. Kjo histori është e rëndë edhe pa viktimat në mes. Është e rëndë se është histori e pastër e korrupsionin shtetëror. Është histori tipike mafioze, ku pleksen shumë fije që nisin nga zyrat e qeverisë. Me viktimat e shpërthimit, çmimi i saj bëhet i rëndë dhe i papërballueshëm për një qeveri të mbushur me njerëz mendjelehtë.

Katastrofa e Gërdecit po komentohet me tone të kundërta nga të dyja palët. Sipas jush, cilat janë përmasat reale të kësaj tragjedie?

Është apokaliptike për nga përmasat. Thelbi i saj qëndron tek arroganca e trafikantëve. Ata kanë qenë të sigurt se janë njerëz të lidhur me shtetin dhe nuk kanë pyetur për qytetarët. Ata kanë qenë arrogantë. Kanë pas lidhje diskete me ministrin dhe njerëz afër tij, kanë marrë siguri nga njerëz afër Kryeministrit se askush nuk i prek dhe janë sjellë me qytetarët si skllevër. Ata janë treguar barbarë se kanë vepruar në emër të një fuqie të panjohur për banorët e Gërdecit. Ata kanë zgjedhur vetë vendin, vetë kontratën, vetë çmimin, vetë punëtorët e pakualifikuar dhe vetë kompaninë amerikane. Kanë qenë realisht tutorë të këtij pushteti dhe kjo është e turpshme. Ky është thelbi i tragjedisë. Zjarri dhe katastrofa u shkaktuan se ata nuk guxonte askush t‘i urdhëronte të zbatonin rregullat. Ata ishin duke nxjerrë fitimet e tyre, pasi fitimet e shefave i kishin ndarë më parë, ndaj nuk guxonte t‘u fliste njeri. Kjo është përmasa më tragjike e asaj katastrofe. Në atë zjarr u shkrumbua dhe miti antikorrupsion i kësaj qeverie.

Ju thoni se keni gërmuar muaj më parë në këtë histori. Pse e botuat ditën që ndodhi tragjedia?

Isha i vendosur që do ta botoja, por isha i penguar nga mungesa e sensibilitetit që ekziston për korrupsionin kur shkruan në media. E përfytyroja se nuk do të kishte efektin real që duhet të kishte. Por ajo që më bëri përshtypje ishte sjellja e ish-ministrit Mediu, të cilin unë e njoh prej 20 vitesh. Sapo mori vesh që unë po gërmoja në këtë histori muaj më parë, ai nisi një fushatë të paprinciptë tavolinash, duke kapur çdo njeri që më njihte mua dhe i adresonte duke u bërë qesharakë. Më akuzonte mua se po përpiqesha të organizoja një "grup armiqësor" që do të rrëzonte nga pushteti Sali Berishën dhe se kisha kërkuar gjatë kohës së zgjedhjes së Presidentit të shkohej në zgjedhje të parakohshme. Dukeshin qesharake për ata që i dëgjonin, por jo për mua që e dija nga se ishte i shqetësuar Mediu. U bë qesharak deri në fund me këtë histori, a thua se unë kisha nën komandë ndonjë celulë terroriste që do vriste Sali Berishën. Se ndryshe unë nuk kam si ta rrëzoj nga pushteti në të cilin e kam ndihmuar të ngjitet. Për ta rrëzuar atë, duhet të kesh vota, duhet të jesh deputet, ose ministër hajdut që ta diskreditosh. Unë s`kam asnjë votë, asnjë post dhe asnjë mekanizëm që ta bëj këtë. Është po ashtu e vërtet se në një emisionin televiziv, gjatë kohës së negociatave të Presidentit, kur doli direkt Mediu dhe Gjinushi dhe thanë të gëzuar se kishin një kandidat për President që ishte një oficer, kushëri i parë i kunatit të Fatmir Mediut, unë thashë nga studioja se tani ka më shumë se kurrë shanse Bamir Topi, ose në të kundërt vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Ky e kthen përmbys këtë fakt publik dhe thotë se kisha bërë gati njerëz që do të votonin kundër Topit, njerëz që zoti Topi e di kush janë dhe nuk i mban mëri Mediut. Aq banal u bë në këtë pikë, sa dhe çdo sulm që i bëhej në media ma adresonte mua. Kohë më parë një gazetë bulevardeske, që ende nuk e kam lexuar edhe sot dhe as që ja njoh botuesin, kishte botuar një histori rozë për të, dhe ai dërgoi njerëz natën në shtypshkronjë për ta bllokuar, duke alarmuar ndërkohë gjithë miqtë e mi se unë po i bija më qafë. Ngjante gati si një skizofreni e tij, vetëm pse kish kuptuar se unë kisha hyrë në zemër të një historie më të vërtet kriminale. Kjo më qetësoi dhe natyrisht më inkurajoi ta botoja atë i pari ditën e parë pas tragjedisë.

Shpërthimi tronditi, siç pritej, qeverinë "Berisha", duke vënë në provë mazhorancën e djathtë. Sipas jush, dorëheqja e Mediut ishte në kohën e duhur dhe a është e mjaftueshme vetëm kjo për të kaluar krizën?

Nuk më duket se qeveria po e kupton realisht përgjegjësinë e saj për këtë tragjedi. Thash që kjo është një histori korrupsioni dhe jo një histori aksidenti. Qeveria po përpiqet ta trajtojë atë si aksidentet në miniera. Në të vërtetë, sikur të mos kishte ndodhur shpërthimi, askush nuk do të kishte hetuar Mediun dhe Delijorgjin për këtë histori korrupsioni. Ata do t`ia kishin hedhur pa lagur, siç ka mundur t`ia hedhë i njëjti person për vite të tëra. Kjo na lë shije të hidhur dhe na bën të besojmë se histori të tjera të fjetura korrupsioni flenë në ndërgjegjen e vrarë të kësaj qeverie. Dhe ato nuk mund të zgjohen të gjitha me bomba. Duhet të zgjohen dhe të zbulohen normalisht nga shteti ligjor. Është kosto e madhe të largosh Fatmir Mediun, një fluturak mendjelehtë me lidhje tepër të dyshimta shoqërore dhe sociale, me një kosto të tillë. Kjo krizë nuk ka më lidhje me ikjen e Fatmir Mediut. Kjo krizë ka lidhje me faktin se korrupsioni po bën kërdinë dhe po trimëron gangsterët, të cilët tashmë kanë në dorë dhe jetën tonë.

A do të jetë i lehtë zëvendësimi i ministrit të Mbrojtjes dhe sipas jush, a duhet ta ketë PD-ja këtë dikaster, apo ta marrë sërish Partia Republikane?

Togfjalëshi "Partia Republikane" duhet riparë me kujdes. Kryetari i kësaj partie nuk mund të jetë më aleat i kësaj shumice. Është njeri i implikuar në një histori të thellë korrupsioni dhe njollos gjithë portretin e shumicës, e cila po përpiqet t‘i bëjë tualet vetes para zgjedhjeve. Ajo parti tashmë duhet të reflektojë vetë për banalitetin në të cilin është zhytur nën drejtimin e Fatmir Mediut. Ekziston vetëm një shpresë e vakët që për mua lidhet me emrin e Sabri Godos. Nëse ai rikthehet në krye të partisë urgjentisht këto javë, ai mund të jetë një ministër i mirë i Mbrojtjes. Ai ka përvojën e duhur, qetësinë e duhur dhe kulturën e duhur shtetërore për ta bërë atë punë dhe për t‘i ridhënë jetë asaj që ju e quani Parti Republikane, por që unë e njoh dhe e di që janë një tufë shokësh të Fatmir Mediut si ai dhe shpesh shumë më keq se ai. Nëse bëhet fjalë për atë parti, ajo duhet të nxirret jashtë koalicionit me vendim politik. Kush deputet do të qëndrojë me të, le të qëndrojë dhe të votëbesohet qeveria. Thashë, i vetmi shpëtim është emri i Sabri Godos dhe vullneti i tij për ta ndryshuar atë kënetë që ka prodhuar drejtimi i Fatmir Mediut.

Zëra të veçantë në PD kanë kërkuar një analizë të thellë të situatës. Sipas jush, a duhet dhe a do të ketë një reflektim nga strukturat e selisë blu për situatën?

Reflektimi duhet të ketë në qendër pikërisht raportet me histori të tilla të rënda korrupsioni. PD dhe qeveria duhet të heqin dorë dhe të distancohen publikisht nga teoria se ata që bëjnë akuza për korrupsion kanë interesa personale. Kjo teori i ka zhytur ata në korrupsion dhe i ka bërë krejt të pabesueshëm në opinion publik. Kjo histori e rëndë korrupsioni s`do të kish dalë në sipërfaqe me këtë qartësi sikur vendi të mos ish ndriçuar nga flakët e Gërdecit. Por kjo shoqëri nuk është e gatshme të paguajë këtë çmim për çdo histori të ngjashme korrupsioni. Qeveria dhe stafi i Kryeministrit është i mbushur me njerëz të fryrë si tullumbace nga arroganca e pushtetit, por është e dhimbshme që tullumbacet të shfryhen me predha, kur mund të shpohen me një gjemb të vogël, aq sa meritojnë.

Ditët e fundit po shtohen gjithnjë e më shumë zërat e një, ta themi, "fërkimi" mes Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Topi për krizën, por edhe për emrin e ministrit të ri të Mbrojtjes. Sipas jush, çfarë zhvillimesh pritet të sjellë mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare?

Nuk jam në dijeni të fërkimeve të tilla, sidomos për emrin e ministrit. Por ka një qëndrim të ndryshëm të tyre në lidhje me krizën. Presidenti Topi është treguar më i matur dhe nuk ka hyrë në spiralen e justifikimit të situatës. Nuk ka bërë përpjekje të justifikojë strukturat e ushtrisë, megjithëse është Komandant i Përgjithshëm, nuk ka bërë përpjekje për të justifikuar punën e zezë, as kontraktorët fantazmë amerikanë. Kjo do të thotë se është i qetë dhe i distancuar nga kjo histori. Kryeministri, me sa di unë, nuk ka pas asnjë arsye të futej në këtë spirale dhe të merrte përsipër pa shkak minimalisht mendjelehtësinë e Fatmir Mediut, të cilën e njeh. Ai duhet të sillej si Kryeministër dhe t‘u tregonte vendin gjithë përgjegjësve të kësaj historie.

Kryeministri ka fajësuar median për manipulim me ngjarjen. Si e komentoni ju këtë?

Ishte një deklaratë nervoze, që shpresoj t`ia kenë dhënë këshilltarë të këqij, nga ata që e kanë zakon t‘i shtyjnë kryeministrat të hedhin një hap përpara, sa herë që janë buzë greminës. Dhe një hap përpara kur je buzë greminës është fundi. Media shqiptare ka bërë një mrekulli me tragjedinë e Gërdecit dhe për orë e ditë të tëra ka zëvendësuar shtetin që mungonte. Media ka mbledhur gjak për viktimat, ka sensibilizuar shqiptarët dhe të huajt për solidaritet, është futur mes zjarrit dhe ka nxjerrë viktimat dhe natyrisht ka diskretituar ata që duheshin diskretituar. Media ishte në anën e "Fatzinjve" që vdiqën dhe jo në anën e Fatmirit që i vdiq. Kryeministri është i lirë të zgjedhë të jetë me kë të dojë.

Gazeta juaj, por edhe media të tjera, kanë sjellë fakte për aferën e tregtisë së armëve. Mendoni ju se Prokuroria do t‘i çojë hetimet deri në fund?

Nuk duhet ta paragjykojmë punën e prokurorisë. Është mirë t‘i japim kohë dhe ta vëmë në provë Kryeprokuroren e re. Faktet janë të rënda dhe është e tmerrshme se ato mund të mos hetoheshin kurrë sikur të mos ndodhte katastrofa. Tashmë që e kemi paguar çmimin e heshtjes ndaj korrupsionit, së paku të ndëshkojmë korrupsionin. Historia e pistë e kontratës së çmontimit të armatimit në Gërdec ka të bëjë me fshehjen reale të sasive të skrapit dhe municioneve që shkonin për shitje. Është një histori tipike mafioze, që është zhvilluar në zemër të qeverisë shqiptare, të shumicës që ka ardhur në pushtet me premtimin e duarve të pastra. Tashmë duart janë përgjakur dhe askush nuk mund të na i fshijë ato në fytyrat tona për t‘i pastruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›