E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri sulmon ashpër mediat: Manipuloi me tragjedinë

Kryeministri Berisha lë pas tragjedinë e Gërdecit, duke sulmuar mediat gjatë mbledhjes së qeverisë. Akuza të rënda janë vërshuar dje në mesditë në adresë të gazetarëve nga kreu i Ekzekutivit. Berisha ka bërë përgjegjëse median, që sipas tij, ka manipuluar me tragjedinë e Gërdecit. "Disa zëdhënës, mercenarë të mafies, gazetarë që, duke shkelmuar në mënyrën më të turpshme mbi moralin njerëzor, kërcenin nga gëzimi në ekranet e tyre dhe manipulonin me fatkeqësinë e viktimave, më thanë edhe familjarët. Kjo ishte e pabesueshme për sytë e mi dhe të atyre të asaj zone, sesi këta mercenarë ‘non stop‘ bërtisnin ‘Rroftë vdekja, poshtë qeveria‘", tha Kryeministri në mbledhjen e qeverisë, ku si rrallë ndonjëherë kishte mbledhur të gjithë ministrat e kabinetit. Kryeministri u tregua i ashpër kur tha se gëzimi i gazetarëve në rastin e katastrofës së Gërdecit u kthye në makabritet. "Ti mund të mos ta duash apo urresh një qeveri, mund të sulmosh e shpifësh në çdo kohë, por të shtrosh darka e dreka gëzimi, kur ende kemi familje që i kanë varret e hapura se nuk i kanë akoma viktimat e tyre, kjo nuk është perversitet, por makabritet moral", tha ai. Gjatë lëshimit të këtyre akuzave, me siguri Kryeministrit i është kujtuar shprehja "ai që të shan, të do", prandaj edhe vijoi se "si njeri i dashuruar pas medias, siç jam dhe i tillë do të mbetem, këtë herë kam ndjerë dhimbjen e dytë më të madhe, kur shihja këta mercenarë, që jo të shumtë, por ekzistojnë, gazetarë e gazetare që hidheshin nga gëzimi e harronin se i shihte një zonë që vërshonte në lot mjerimi dhe dhimbjeje. Kishin marrë në studio të dehur që flisnin përçart, gjëra të cilat nuk i bëjnë nder një vendi të qytetëruar". Kryeministri Berisha u ka përcjellë mesazhin këtyre mediave se kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë të lirë. "Jam i betuar dhe i vendosur të bëj çdo gjë për lirinë e tyre, edhe sikur lakuriq të dalin në ekranet e tyre. Liria e tyre është e shenjtë, por njeriu duhet të ketë një kufi moral, sepse mund të jesh privat, por nuk duhet të harrosh se je në funksion publik dhe në këtë funksion nuk mund të brohorasësh e të kërcesh nga gëzimi nga karrigia, nuk mund të vendosin të dehur në studio për të folur përçart, nuk mund të bësh kurrë moralin e atij që thotë ‘Rroftë vdekja, poshtë qeveria‘, sepse kjo tejkalon çdo gjë", tha ai. Cinizmi i Kryeministri ka vijuar edhe më tej, kur ai është shprehur se "gazetarët janë të lirë. Në rast se do të dalin lakuriq në ekranet e tyre, le ta bëjnë, ne do të respektojmë linjën e tyre". Sipas kryeministrit, qeveria ka bërë çdo përpjekje për të bërë transparencën e plotë ore pas ore të zhvillimeve dhe vendosi me to raportin më të mirë të mundshëm, gjë e cila i shërbeu shumë përpjekjeve të mëdha e të gjithanshme për kapërcimin e situatës. "Por nuk do të isha ky që jam në rast se nuk do të shprehja këtu habi ndaj disa zëdhënësve, mercenarëve të mafies, që manipulojnë me lajmet", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›