E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, familjarët: Tragjedia po vazhdon

Trashëgimtarët e viktimave të Gërdecit i bëjnë apel Presidentit të Republikës t‘i mbështesë në rrugën për t‘i shpëtuar humnerës drejt së cilës po i shtyn padrejtësia e indiferenca shtetërore. "Ktheni vëmendjen drejt Gërdecit, kësaj plage së cilës në rast se nuk i gjenden fajtorët rrezikon të kthehet në kancer social", thuhet në letrën që ka mbërritur në zyrën e kreut të shtetit, institucioneve të drejtësisë e gjykatave dhe Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Sipas tyre, dy ditë më parë kanë mësuar me keqardhje lajmin e hidhur për humbjen e jetës të Kujtim Osmanit, njërit prej familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. "Kjo tragjedi që ka marrë me vete përgjithnjë shpirtrat e të dashurve tanë, ka lënë pas një mori hallesh e problemesh që po persekutojnë familjarët, sikur të mos mjaftonte rëndimi shpirtëror, moral e psikologjik i tyre. Vetëvrasja e Kujtim Osmanit është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vëmendjes së shtetit ndaj viktimave të tragjedisë. I flakur në tragjedi familjare, pas humbjes së vajzës së tij, ky baba fatkeq 43-vjeçar është përballur edhe me vështirësi të mëdha ekonomike, e me papunësi e probleme të tjera individuale e sociale, të cilat natyrisht që kanë marrë shkak në depresionin e shkaktuar pas shpërthimit. Askush nuk i është gjendur pranë Kujtim Osmanit në momentet e tij të errëta, asnjë shërbim social, asnjë ndihmë ekonomike, asnjë përkujdesje mjekësore, apo detyrime të tjera që shteti e institucionet duhet t‘ia ofronin për të zbutur pasojat post-traumatike", thuhet në letër, sipas së cilës, përveç 26 viktimave që humbën jetën në shpërthimin e mallkuar të 15 marsit 2008, kjo tragjedi vijon të marrë jetë njerëzish. Pak muaj më parë, ka humbur jetën si pasojë e depresionit dhe përkeqësimit shëndetësor e psikologjik edhe e ndjera Naile Ahmeti. Dy ditë më parë u shtua dhe viktima e 28, pas vetëvrasjes së Kujtim Osmanit që prej disa javësh po përjetonte stres dhe depresion të skajshëm. I ndjeri Osmani, ditët e fundit të jetës së tij i kaloi nën trishtimin e humbjes së vajzës së tij, por edhe nën poshtërimin që të sjell mbetja pa punë. "Ky rast denoncon edhe një herë kushtet çnjerëzore sociale e psikologjike që po përjetojnë familjarët e viktimave, të flakur në varfëri, papunësi, e probleme me strehimin, ndërkohë që fatkeqësia familjare nuk na lejon të përballojmë me të gjitha forcat tona këto probleme jetësore që na prekin", shkruan shoqata, e cila kërkon të përshpejtohet shqyrtimi dhe procedimi i të gjitha çështjeve ligjore që kanë të bëjnë me padrejtësinë që u është kryer viktimave të Gërdecit. Ata kërkojnë në mënyrë urgjente ndihmë sociale e shërbime shëndetësore të aksesueshme për të gjithë familjarët e viktimave, të cilët në një vit e gjysmë janë lënë në indiferencë të plotë të enden dyerve të institucioneve pa marrë kurrë ndihmën që u takon.

S.Çobo

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›