Rreziku i denatyralizimit të së majtës
E majta po denatyralizohet nga konfliktet e saj të brendshme. Shoqatat antifashiste dhe partizane të shteteve që lagen nga Adriatiku dhe Joni janë mbledhur në Durrës në një forum të organizuar prej tyre dhe Institutit të Historisë së qyteteve bregdetare. Në qendër të forumit janë vendosur diskutimet në lidhje me krizën globale dhe pasojat e saj, si edhe nevojën për një shoqëri që të mbështetet në të drejtën sociale, e cila gjithnjë e më shumë po humbet. Folësit thanë se kjo është në përgjegjësinë e qeverive të vendeve përkatëse që të reduktojnë përmes politikave të tyre pasojat fatale të krizës për shumicën e njerëzve dhe të mos krijohet i ashtuquajturi socializëm për të pasurit. Ndërkohë që edhe partitë e majta kanë një përgjegjësi më të madhe. Historianët i kanë kujtuar politikës se e majta ka dalë si lëvizje e punëtorëve dhe përfaqësohet nga socialdemokratët e socialistët dhe duhet të bazohet në të bërit e një shteti social e jo të përshkohet nga konflikte të brendshme të hapura dhe të mprehta, duke e humbur natyrën e vet. Forumi në të cilin marrin pjesë dhe senatorë e politikanë të njohur nga vendet e rajonit u përshëndet nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako. Nga forumi që do të vijojë punimet dhe të shtunën është përcjellë mesazhi se kriza ekonomike nuk mund të zgjidhet përmes shkurtimeve masive të vendeve të punës që cenojnë të drejtën e njerëzve për punë dhe mbrojtje sociale. Situata vlerësohet kritike nga doc. Branislav Radulovic i Malit të Zi, në kushtet kur punonjësit kanë ngelur pa mbështetje të fortë nga sindikatat dhe pa politika të qarta të së majtës, duke u dhënë hapësirë tendencave pro nacionaliste, siç po ndodh në ish-Jugosllavi. Shoqatat vunë në dukje se partitë e majta që kanë në ideologjinë e tyre një komunitet social antifashist janë shoqërisht përgjegjëse për situatën dhe duhet të reagojnë për të ndryshuar situatën dhe për ta përmirësuar atë.
V.Qyrfyçi
V.Qyrfyçi