E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama të sjellë planin në sekretarinë teknike

Kryeministri Berisha nis sërish komunikimin në distancë me kreun e opozitës dhe kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama. Nga mbledhja e qeverisë, Kryeministri i kërkoi kryebashkiakut Rama që të dorëzojë sa më shpejt në sekretarinë teknike planin urbanistik, në mënyrë që të miratohet sa më parë. "E ftoj zotin Rama që del në konferencë shtypi dhe që, pasi e ka mbajtur një vit planin, ta sjellë sa më shpejt në sekretarinë teknike dhe do t‘ia miratojmë, në mënyrë që të mos krijojmë alibi të kota", tha Berisha. Sipas tij, "Rama pasi e mbajti planin e rregullimit një vit e gjysmë, e miratoi para dy javësh, tani del e thotë se po e bllokon KRRTRSH-ja. Në përputhje me planin urbanistik, ne duhet të gjejmë mënyrën e fitimit maksimal dhe kjo e tëra do të shkojë në fondin e kompensimit të pronarëve". Në funksion të krijimit të këtij fondi, Kryeministri kërkoi amendimin e ligjit të vitit 1994, që i ndalon qeverisë të shesë toka publike. "Në një mbledhje të shkuar ju njoha me qendrën e Tiranës. Ligji i vitit 1994 ia ndalon qeverisë të shesë toka, por ky ligj e ndalon për shkak të kompensimit të pronarëve. Pra, ligji është në funksion pikërisht të procesit të kompensimit të pronarëve, çka do të thotë që me një amendim të lehtë të tij, për ta qartësuar, Këshilli i Ministrave duhet të autorizohet të përdorë trojet në mënyrën më eficente për kompensimin e pronarëve", tha ai. Duke iu referuar rastit në qendër të Tiranës, Kryeministri Berisha tha se ankandi duhet të jetë për metër katror ndërtimi, pasi, sipas tij, në këtë mënyrë arrihet vlera më maksimale, në përputhje me urbanistikën e qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›