Bazë prostitucioni, arrestohen dy shtetas
Tiranë- Policia e Tiranës ka zbuluar sot një shtëpi që përdorej për shfrytëzimin e prostitucionit dhe ka vënë në pranga dy persona, të akuzuar për këtë vepër penale.
Ndalimi i tyre është bërë në kuadër të operacionit “Sarandjoti” , realizuar nga specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Sektorin kundër Krimit të Organizuar.
“Namik Cukaj, 57-vjeç, i proceduar më parë për të njëjtën vepër penale dhe shtetasja 20-vjeçare D. Zh., janë arrestuar sot nga policia”- bëjnë me dije burimet, duke shtuar se të dy të ndaluarit janë të lindur në Sarandë dhe banues në Tiranë.
Mësohet se 57-vjeçari për një periudhë kohe të gjatë shfrytëzonte për qëllime prostitucioni shtetasen D. Zh. duke vënë në dispozicion banesën e tij në rrugën “Shyqyri Ishmi”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 50.000 lekë të përfituara nga kjo veprimtari, 4 aparate celulari, një automjet tip ‘Volsvagen Polo’ me targë TR2921 L.
“Vazhdon puna për verifikimin e llogarive bankare të këtij shtetasi për shumat e përfituara nga kjo veprimtari”- thonë të njëjtat burime.
Materialet në ngarkim të tyre, i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit, mbajtjes së ambienteve për prostitucion”, si dhe “Ushtrim Prostitucioni”.