PS: Berisha shpërdor arsimin për fushatë
Tiranë- Premtime të rrejshme elektorale i ka cilësuar sot Partia Socialiste deklaratat e kreut të qeverisë, një ditë më parë për arsimin dhe mbështetjen për arsimin privat në vend.
Sipas kryetares së komisionit të edukimit në PS, Ledi Shamku, fjalimi i kryeministrit dje për arsimin qe një tjetër sajesë bajate për veshët e shqiptarëve, të cilët vuajnë përditë pasojat e një politike që e ka injoruar krejt edukimin dhe kujtohet ta nxjerrë atë si lepurin nga kapela vetëm kur i duhet ta përdorë për premtime të rrejshme elektorale.
Ajo duke kujtuar premtimin e Berishës së “Arsimi privat do të ketë një trajtim të veçantë fiskal” thekson vazhdimin e demagogjisë, pasi ishte pikërisht kjo qeveri që e taksoi arsimin privat.
“Taksa rëndon mbi familjet shqiptare, dhe vetëm mbi ato, të cilat shtrëngohen të zgjedhin shkollimin privat ngaqë shkollat publike jane nga 50 e 60 vetë në klasë, ngaqë fillorja bëhet me 3 turne, ngaqë kjo qeveri i shndërron mësuesit në skllevër të dhunës politike, duke emëruar jo rrallë drejtues militantë me të mesme, duke e çuar kështu arsimin publik në një ditë të zezë si kjo e sotmja”- tha ajo gjatë një deklarate për shtyp.
Me futjen e TVSH-së në arsimin privat, sipas saj, ky kryeministër i zhvat dhe vazhdon t’i zhvasë dy herë familjet shqiptare. Ndërkohë që pranohet se TVSH-ja në arsimin privat është e padrejtë, nuk bëhet asnjë veprim konkret për të përmirësuar gabimin.
“Ka po aq kohë që Partia Socialiste ka depozituar amendamentin përkatës për t’ua hequr shqiptarëve këtë barrë të dyfishtë. Por, në vend që ta heqë një orë e më parë, e madje duke u kërkuar ndjesë shqiptarëve për këtë kërcu mbi karthia, qeveria vijon të tallet, duke e shitur këtë detyrim të vetin si karamele ndjellëse për zgjedhjet e qershorit”- përfundoi ajo.