E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqi: Presidenti më kërkoi dorëheqjen

Sot, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet të shqyrtojë dorëheqjen e parevokueshme të shefit ekzekutiv të saj, Blerim Kuqi.

Në një intervistë, zoti Kuqi, përsëriti se e kishte marrë këtë hap me kërkesën e Presidentit Fatmir Sejdiu, i cili, ndërkohë, ka refuzuar të bëjë çfarëdo komenti lidhur me rolin e tij të mundshëm.

Zoti Kuqi, ka pasur spekulime të ndryshme lidhur me dorëheqjen tuaj. Mund të sqaroni se përse e dhatë dorëheqjen?

Dorëheqjen e kam dhënë pas kërkesës së Presidentit për të dhënë dorëheqjen sepse, sipas tij, kemi një mospërputhje në dinamikë dhe në hapa drejt reformës. Nëse e përmbledh me një fjali, kjo ka qenë arsyeja. Mund të ketë edhe arsye të tjera, por ky është emëruesi i përbashkët i kësaj dorëheqjeje.

Kur është fjala për reformën, çfarë mendoni se keni arritur apo nuk ia keni dalë të bëni në reformimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që deri vonë ishte partia politike ‘numër një’ në skenën politike kosovare?

Reforma ka të bëjë me atë që ta kthejë LDK-në përsëri në ‘parti numër një’. Për ta arritur këtë është dashur të bëhet reformë në disa drejtime. Siç duket, pikërisht për këtë çështje, kemi mospërputhje me Presidentin. Ndoshta kjo pyetje do të ishte më mirë t’i drejtohej Presidentit sesa mua.

Zoti Kuqi, mendoni se Presidenti e ka shkelur Kushtetutën me këtë rekomandim që ju të jepni dorëheqjen?

Nuk e di sepse nuk jam ekspert i kësaj fushe. Ndoshta për këtë duhet pyetur Kuvendi, ose ndonjë ekspert i fushës, por megjithatë ne po pengohemi shumë nga pozita e dyfishtë e Presidentit, pozita e tij si President dhe shef i partisë.

Tashmë, si ish-shef i LDK-së, si i vlerësoni raportet me partnerin në koalicion, me Partinë Demokratike të Kosovës? Edhe këtu ka pasur vlerësime të ndryshme përsa u përket mospajtimeve të ndryshme brenda udhëheqjes së LDK-së, lidhur me raportet LDK-PDK…

Nuk është mirë të flas më shumë, derisa të mbahet mbledhja e kryesisë. Pas mbledhjes së kryesisë, që për mua është me shumë rëndësi, unë do të kem edhe disa prononcime të tjera që kanë të bëjnë me rrjedhat e ardhshme në parti.

Kur do të mbahet mbledhja e kryesisë dhe çfarë epilogu parashikoni?

Afatin e rregullt e ka për sot.

Mendoni se do të pranohet dorëheqja juaj?

Po, dorëheqja ime duhet të pranohet, sepse unë kam dhënë dorëheqje të parevokueshme. Është me rëndësi të shihet se cilat do të jenë kahjet dhe raporti i kryesisë në raport me pozitën e Presidentit, d.m.th., me pozitën e tij të dyfishtë.

Si i komentoni vlerësimet, sipas të cilave, ju bëni pjesë në grupin e të pakënaqurve, ngaqë, siç thuhet, keni humbur postet qeveritare?

Jo, unë nuk bëj pjesë në atë grup, të paktën deri më tani. Unë i takoj atij grupi që ka të bëjë me procesin e reformave. Unë, deri tani, vetëm jam munduar të vendos mekanizma dhe procese, të cilat e sjellin LDK-në në atë parti që ishte, sepse unë mendoj që Kosova ka nevojë për LDK-në dhe LDK-ja paraqet progres dhe prosperitet për qytetarët e Kosovës.

Maqedoni, shtohet numri i policëve nën hetim

Më shumë se 20 persona u arrestuan ditët e fundit në Kumanovë.

Në Maqedoni është rritur në 60 numri i policëve të qytetit të Kumanovës që janë nën hetim, sepse dyshohet se mund të jenë të përfshirë në aktivitetet e paligjshme.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se, edhe rreth 20 policë të tjerë në Kumanovë, janë lëvizur nga postet që kanë pasur.

Kjo lëvizje vjen pas veprimeve të ngjashme që u ndërmorën me rreth 40 policë të tjerë, ku përfshiheshin kryeshefa, shefa dikasteresh, si dhe policë të njësiteve speciale.

Ata thuhet se janë nën hetim, sepse dyshohet se mund të jenë të përfshirë në aktivitete ilegale.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Jordana Jankullovska, tha se, asnjëherë, në historinë e policisë maqedonase, nuk ka pasur lëvizje të tilla.

Këto veprime ndërmerren pas arrestimeve të më shumë se 20 personave, javën që shkoi, në qytetin e Kumanvës.

Ata janë të akuzuar për kontrabandë duhani. Gjatë aksionit policia gjeti 15 tonë cigare.

--------------------------------------------Kundërshtohet ndarja e Kosovës

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e kanë hedhur poshtë një ide për ndarjen në vija administrative të Veriut të Kosovës, të paraqitur nga Andrew Ladely, i dërguar i OKB-së për bisedimet me Beogradin zyrtar mbi ristrukturimin e UNMIK-ut.

Autoritetet kosovare thanë se, Kosova, është një tërësi territoriale dhe e pandashme dhe kërkuan shtrirjen e plotë të misionit evropian për drejtësi dhe polici, EULEX, në të gjithë territorin e saj, pa kushtëzime.

Reagimet pasuan shkrimet në media ku, i dërguari i OKB-së për bisedimet me Beogradin zyrtar, ka ofruar propozimin për një sistem të ndarë doganor ndërkaq në polici, një zinxhir komandues, jashtë atij të Policisë së Kosovës, për veriun e saj.

Autoritetet e Prishtinës i cilësuan propozimet si kushtëzime që Beogradi po i vë shtrirjes së misionit të EULEX-it në Kosovë.

Zoti Ladely duhet të përgatisë një qëndrim mbi procesin e rikonfigurimit të UNMIK-ut deri në mesin e muajti nëntor kur, OKB-ja duhet të diskutojë për Kosovën. Por edhe autoritetet ndërkombëtare e kanë kundërshtuar çfarëdo ndarjeje të Kosovës mbi vija etnike, duke nënvizuar se, kjo ide, mund të ketë një efekt negativ mbi tërë rajonin e Ballkanit.

Ndërkohë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Joseph Jung, ka riafirmuar të hënën në Prishtinë, qëndrimin e kancelares Merkel kundër ndarjes së Kosovës, duke shtuar se, vendi i tij, mbështet një Kosovë shumëkombëshe, demokratike dhe të bashkuar.

Autoritetet serbe, ndërkaq kanë kërkuar respektimin e Rezolutës 12 - 44 të Këshillit të Sigurimit dhe funksionimin e policisë dhe të drejtësisë nën ombrellën e OKB-së.

Misioni i EULEX-it pritet që të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës nga fillimi i dhjetorit, pasi paraprakisht të arrihet një marrëveshje me Beogradin zyrtar dhe pasi të miratohet një deklaratë presidenciale në OKB.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›