Baze: “Është dëshpëruese, kur institucionet të trajtojnë si armik të qeverisë”
Drejtori i gazetës “TemA”, publicisti Mero Baze, flet në lidhje me akt-ekspertizën e policisë mbi djegien e makinës së tij. Ky akt ka mbërritur në prokurori. Baze deklaron se ka kërkuar nga prokuroria të ringrejë një grup ekspertimi
Zoti Baze, ju ishit sot (dje), në prokurorinë e Tiranës. Përse ju kishin thirrur?
U thirra nga prokuroria e Tiranës për t’u njohur me akt-ekspertizën e policisë për ngjarjen që lidhet me djegien e makinës time para pallatit, duke u gdhirë dita e 31 dhjetorit. Ishte një copë letër që turpëron çdo bashibozuk dhe jo më një shtet që pretendon të jetë minimalisht shtet ligjor. Ishte një faqe e gjysmë e mbushur me përtim dhe siklet njëkohësisht, me fjali qesharake, gati të shkruara nga njerëz injorantë që nuk bënin asnjë analizë të asaj që kishte ndodhur. Thjesht kishin mbushur një faqe e gjysmë me fjalë pa kuptim dhe kishin arritur në përfundime që nuk të thoshin asgjë.
Cilat ishin përfundimet e tyre?
Nuk do ta besoni këtë që po ju them, por ishte qesharake. Përfundimi i parë ishte se makina ime nuk ishte djegur nga rrufeja. Nuk di kujt i ka shkuar mendja që makina mund të digjej dhe nga rrufeja në një natë që nuk ra as shi dhe s’kishte as vetëtima. Përfundimi i dytë ishte se mund të ishte djegur nga ndonjë shkëndijë e krijuar nga një fals kontakt. Por dhe për këtë nuk jepej asnjë detaj mbështetës, d.m.th., që të përpiqeshin të më mbushnin mendjen se si ndodh një fals kontakt në një makinë të parkuar prej pesë orësh, në një temperaturë nën zero, në një makinë të re etj. Pra, ishte një ekspertizë qesharake, por besoj se ishte bërë e qëllimshme dhe kaq qesharake për të thënë në njëfarë mënyre se aq të lirë janë.
Cili është komenti juaj për këtë?
Jam i dëshpëruar për standardin e policisë. Policia është e paralizuar, pasi është e diktuar nga linja dhe klane që nuk hetojnë, por përpiqen të kuptojnë çfarë do kryeministri. Dhe kryeministri për t’ua treguar se çfarë donte, nxori në mesditë Gerti Bogdanin dhe u tha se unë isha një i shitur tek Edi Rama dhe si i tillë nuk kisha të drejtë të thosha që makinën ma kishin djegur. Dhe ata të shkretët ashtu e kishin bërë, vetëm që nuk dinin të gjenin një shkak nga se ishte djegur. Nga ana tjetër, ekspertiza, nëse mund të quhej e tillë, ishte dhe një pasqyrë e dhimbshme e sikletit që ndjejnë profesionistët e vërtetë të policisë, kur detyrohen të bëjnë akte të tilla. Të shkretët kishin bërë kujdes të thoshin që po ia fusim kot, se s’kemi ç’të bëjmë. Dhe ky është një degradim i madh. Përfytyroni një qytetar që thotë se më kanë djegur makinën dhe një kryeministër, që, në vend që ta mbështesë, del e thotë: “Ky që ankohet se i është djegur makina, është qen bir qeni”. Kjo do të thotë që ky që i është djegur makina e ka merituar dhe me këtë do të thotë më tej se kushdo që sillet si ky, këtë fund ka. Nuk di se ç’ka më shumë një shtet terrorist, kur një kryeministër sillet në këtë mënyrë.
Cila është procedura që pason?
Pasi u njoha me akt-ekspertizën qesharake, nuk e pranova atë dhe i kërkova prokurorisë të ringrejë një grup ekspertësh, që të argumentojnë skemën dinamike të ngjarjes, të provojnë nga se është djegur makina dhe të marrin parasysh dëshmitë tona në vendngjarje apo të dëshmitarëve të tjerë. Besoj që prokuroria do operojë në këtë drejtim. Shpresoj që të bëjnë një punë profesionale për të dëshmuar se jo gjithë institucionet e shtetit janë të kapura. Shoqëria jonë është në krizë besimi dhe kemi nevojë që dikush t’i thotë ndal rrënimit të besimit tek institucionet. Është dëshpëruese, kur institucionet e shtetit të trajtojnë si armik të qeverisë. Unë u ndesha me një polic Antiterrori që erdhi me vonesë dhe me ekspertizë gati, dhe me një drejtues zjarrfikësi që u kujdes të digjte makinën që të mos ngeleshin gjurmë të zjarrit. Këto janë shenja të një shteti politik, mafioz, që të ngjall kujtimet e hakmarrjeve të Ku Klus KLANIT. Shpresoj se drejtësia do të ngrihet mbi këtë mentalitet dhe do të saktësojë së paku shkaqet e zjarrit dhe ndoshta pse jo dhe autorët.