E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode rrëzon rritjen dyshifrore, acarohet Berisha

Nga Fitim Zekthi

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, kanë debatuar dje ashpër në lidhje me rritjen e ekonomike të vendit gjatë vitit që shkoi. Kryeministri nuk i ka pranuar për të vërteta të dhënat e Ministrisë së Financave dhe vlerësimet që ajo i ka bërë rritjes ekonomike të vendit, duke thënë se ata duhet t’iu nënshtrohen të dhënave që jep Instituti i Statistikave.

Gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Planifikimit të Strategjive Ekonomike, zëvendësministri i Financave, Florion Mima, dhe më pas ministri i Financave kanë thënë se rritja ekonomike e vendit është diku te 7%. Edhe pse me gjysmë zëri, zyrtarët e Financave kanë pranuar se madje e certifikuar nga FMN, një rritje e tillë mund të jetë dhe gjashtë për qind. Kryeministri ka replikuar menjëherë duke thënë se, zyrtarëve të Ministrisë së Financave u leverdis që të paraqesin një shifër të tillë. Ai nuk ka pranuar shifrat e tyre dhe ka thënë se rritja ekonomike është 9,9%, aq sa ka thënë INSTAT. Ministri i Financave, Ridvan Bode, është shprehur se kjo është vetëm e dhënë për një tremujor dhe jo një e dhënë vjetore dhe se rritja ekonomike në vend, e konsultuar edhe me specialistët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, është rreth 7%. Zëvendësministri Florion Mima, duke iu referuar llogaritjeve të Drejtorisë së Makroekonomisë të Ministrisë së Financave, tha se rritja ekonomike është 7,2%. Ministria e Financave është vënë dje përballë dyshimeve të kryeministrit mbi vërtetësinë e të dhënave dhe vlerësimeve që ajo ka për zhvillimet ekonomike në vend.

Në fakt, Ministria e Financave ka një drejtori, e cila merret vetëm me këto vlerësime dhe është kjo drejtori që harton politikat ekonomike dhe fiskale të qeverisë shqiptare. Është rasti i parë, kur kryeministri nuk pranon shifrat e zhvillimeve ekonomike që i paraqiten nga Ministria e Financave, megjithëse kjo e fundit e ka për detyrë këtë gjë. Në bazë të këtyre vlerësimeve, kjo ministri harton buxhetin, planet afatmesme ekonomike dhe fiskale dhe strategjitë e zhvillimit. Tashmë të dhënat dhe vlerësimet e saj, megjithëse ajo është në kontakt të paprerë me specialistët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk merren për të qenësishme nga kryeministri. Ideja e rritjes ekonomike me dy shifra është kthyer në një domosdoshmëri që duhet të gjendet edhe në shifrat e Ministrisë së Financave. Dy muaj më parë Instituti i Statistikave paraqiti të dhëna për rritjen ekonomike të vendit gjatë tremujorit të tretë të vitit (korrik-shtator), sipas të cilave ekonomia ishte rritur me 9,9%. Këto të dhëna kanë të bëjnë me vetëm ata tre muaj dhe jo me rritjen vjetore.

BB: Rritja ekonomike brenda parashikimeve është 6%

Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Tiranë, Camille Nuamah, tha pak ditë më parë se rritja ekonomike e Shqipërisë nuk është ajo që paraqiti Instituti i Statistikave, megjithëse ato shifra janë të vlefshme, sepse mund të ndihmojnë për të kuptuar trendin. Përfaqësuesja e Bankës Botërore tha se shifrat e tre muajve nuk janë shifrat e të gjithë vitit dhe se metodologjia që ndiqet në raste të tilla është tjetër. Zonja Nuamah tha se ekonomia po rritet brenda parashikimeve dhe nuk ka vend për shifra të tilla tremujore. Kjo do të thotë që ekonomia është rritur me 6 për qind, aq sa janë parashikimet dhe aq sa është parashikuar me detaje në buxhetin e shtetit. Nuamah tha se qeveria duhet të jetë e kujdesshme me shifrat dhe të parashikojë masa për efektet e krizës ekonomike botërore, pasi ato po ndjehen në vend me rënien e dërgesave të emigrantëve dhe me rënien e shitjeve në ekonomi. Shtresat që janë në nevojë duhet të jenë në qendër të vëmendjes dhe qeveria duhet të marrë masa, në mënyrë që ato të mos e thellojnë nivelin e tyre të rënduar të gjendjes ekonomike. Përfaqësuesja e Bankës Botërore ishte shumë e prerë, kur tha se ekonomia po ndjen efektet e krizës ekonomike botërore dhe se rritja ekonomike e vendit nuk i kaluar parashikimet që ishin 6%. Gjatë këtij viti që sapo nisi, rritja ekonomike pritet të tkurret dhe përfaqësuesja e Bankës Botërore kërkoi që masat e qeverisë ta kishin në vëmendje këtë gjë.

FMN: Rritja ekonomike për 2008, 6%, për 2009 vështirë të kapë 4%

Gjatë negociatave të miratimit të buxhetit të vitit të tashëm që u zhvilluan në vjeshtën e kaluar, përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar thanë se rritja ekonomike e vendit ishte e kërcënuar nga kriza ekonomike botërore dhe se gjatë vitit 2009 ekonomia shqiptare mund t’ia dilte të kishte një rritje të mirë prej 3,5 deri në 4%. Delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i kërkoi qeverisë shqiptare që të ishte e kujdesshme në hartimin e buxhetit dhe të kishte parasysh faktin që ekonomia do të rritej në kufijtë e mësipërm, pra me 3,5 deri në 4%. Kjo gjë duhet të reflektohej në buxhet duke i parashikuar të ardhurat sipas kësaj të dhëne. Në lidhje me rritjen ekonomike të vitit 2008, delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar tha se ajo ishte thjesht 6% dhe kjo ishte, sipas tyre, një gjë shumë e mirë dhe brenda parashikimeve, por se ajo nuk mund të ruhej për vitin 2009. Në negociatat për buxhetin e vitit të tashëm delegacioni i Fondit ishte skeptik për nivelin e të ardhurave, por më së shumti i mëshoi idesë së uljes së deficitit si një masë që mund ta ruajë më qartë vendin nga efektet e krizës ekonomike. Më herët në shtator të vitit që kaloi Fondi Monetar Ndërkombëtar nxori një raport për Shqipërinë, ku tha se ekonomia po rritej me 6% dhe se duhej shumë kujdes që kjo rritje të ruhej për shkak të krizës financiare që ishte në nisje. Fondi Monetar Ndërkombëtar shfaqi shqetësim mbi fuqinë në rënie të biznesit për të paguar taksa dhe iu referua të dhënave të administratës së tatimeve, e cila nuk po mund të realizonte planin. FMN tha se parashikimi të ardhurave duhet të bëhej duke e pasur parasysh këtë fakt.

INSTAT: Rritja në tre muajt e verës, 9,9%

Instituti i Statistikave publikoi pak kohë më parë të dhëna për rritjen ekonomike të tremujorit të tretë, në të cilat ekonomia dëshmohej si e rritur me 9,9%. Instituti i Statistikave tha se sektorët ku ishte rritur ekonomia më mirë ishin shërbimet, transporti, industria etj. Të dhënat e Institutit të Statistikave u shoqëruan pak ditë më pas me një publikim tjetër, ku thuhej se shitjet në ekonomi ishin rritur krahasuar me vitin 2007, por ato kishin rënë krahasuar me muajt e kaluar të këtij viti dhe rënia e shitjeve kishte nisur që në verë të vitit që shkoi. Banka e Shqipërisë tha se kredia për ekonominë ishte rritur, por edhe ky zë i rëndësishëm kishte pësuar rënie të lehtë krahasuar me të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit që kaloi. Të dhënat tregonin se fillimi i vjeshtës kishte përmbysur disa prej treguesve të rëndësishëm të ekonomisë. Edhe dërgesat e emigrantëve u ulën, ndonëse jo në mënyrë të thepisur. Treguesit e ekonomisë që nisën të bien në vjeshtën e vitit të kaluar pritet të bien edhe më gjatë këtij viti, të paktën këtë gjë ka parashikuar Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›