Shpërthen djegorja, vdes punëtorja 45-vjeçare, plagosen dy të tjerë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:30 të mëngjesit të djeshëm, kur 6 punëtorët e një poligoni prove në Kombinatin Mekanik të qytetit të Poliçanit, duke filluar si çdo mëngjes punën me pastrimin e ambientit të poligonit, si rezultat i temperaturës së ulët janë përpjekur të ndezin një zjarr duke përdorur arkat prej druri, në të cilat mbaheshin municionet. Nga pakujdesia e treguar nga punëtorët, në njërën nga arkat ndodhej një djegore, e cila nga nxehtësia ka shpërthyer duke goditur punëtorët që ndodheshin përreth zjarrit. 45-vjeçarja Suzana Kapxhiu, si pasojë e goditjes së marrë në kokë ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që 2 punëtorët e tjerë, Krenar Hysi, 45 vjeç dhe Adriatik Hysenbelliu, 46 vjeç, janë plagosur. Të plagosurve iu është dhënë ndihma e parë mjekësore në Qendrën Shëndetësore të qytetit të Poliçanit dhe janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që trupi i pajetë i 45-vjeçares Suzana Kapxhiu, nënë e dy fëmijëve, është dërguar pranë familjes për t’u përcjellë për në banesën e saj të fundit. Në vendngjarje kanë shkuar grupe ekspertësh të Policisë së Rendit dhe asaj ushtarake, të cilët kanë rrethuar e inspektuar vendin e ngjarjes, ndërkohë që disa orë pas ngjarjes në Kombinatin Mekanik të Poliçanit kanë mbërritur edhe përfaqësues të prokurorisë së rrethit Berat dhe Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët kanë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët okularë të kësaj tragjedie.
Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së qarkut Berat kanë pohuar se tragjedia ka ndodhur për shkak të pakujdesisë në punë të vetë punëtorëve të poligonit, ku edhe ndodhi shpërthimi. Sipas policisë, 45-vjeçarja Suzana Kapxhiu, duke ndezur mbeturinat në brendësi të kësaj uzine, ka shkaktuar edhe shpërthimin e djegores, nga goditja e së cilës ka humbur edhe jetën. Nga ky shpërthim janë plagosur edhe shtetasit Adriatik Hysenbelliu dhe Krenar Hysi, të cilët pas mjekimit të marrë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, në territorin e këtij kombinati nuk ka rrezik për shpërthime të tjera, pasi janë marrë të gjitha masat për sigurimin e vendit të ngjarjes, si dhe janë dërguar ekspertët që do të bëjnë të mundur edhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të tragjedisë.
Ministria e Mbrojtjes: Shkak për aksidentin, pakujdesia e punonjësve
Ministria e Mbrojtjes tha dje se shkak për vdekjen e punonjëses së Kombinatit të Poliçanit është pakujdesia. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e kësaj ministrie sqaroi se punonjësit kishin trajnimin e duhur për këtë punë. “Jashtë ambienteve të Repartit të Poligonit 6 punonjësit e këtij reparti, përpara se të nisnin punën, kanë ndezur një zjarr për t’u ngrohur përbri murit të poligonit.
Për ndezjen e këtij zjarri ata kanë përdorur mbeturina të ambalazheve të djegoreve dhe si shkak i këtij zjarri një element i një gote të djegores të kalibrit 57 mm ka shpërthyer, duke goditur rëndë punonjësen Kapxhiu në pjesën anësore të kokës.
Ajo është shoqëruar menjëherë drejt spitalit të Poliçanit, por ka gjetur vdekjen gjatë rrugës”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
“Sipas informacioneve të ardhura nga drejtoria e Kombinatit të Poliçanit, në këtë repart, që prej vitit 2004, kryhet çmontimi i djegoreve. Ky proces kryhej nga punonjësit Krenar Hysi (përgjegjës poligoni), Luan Koroni, Suzana Kapxhiu, Burbuqe Sulçe, Adriatik Hysenbelliu dhe Edmond Lulaj. Të gjithë punonjësit prej një muaji ishin duke pastruar të gjithë territorin nga mbeturinat e këtij demontimi. Ndërsa ky proces kryhej prej 4 vitesh, këta punonjës kanë pasur një eksperiencë prej 15 vitesh në këtë lloj pune. Ministria e Mbrojtjes njofton se ky aksident nuk ka ndodhur si shkak i kryerjes së procesit të demontimit të djegoreve në repartin përkatës, por jashtë tij, si shkak i një pakujdesie të treguar në ambientet e Kombinatit duke mos respektuar rregullat e sigurimit teknik në punë”, - vijon njoftimi i kësaj ministrie.
Kryeinxhinieri i uzinës, Adrian Spaho
Gjatë një prononcimi të dhënë për medien, disa orë pas ngjarjes, kryeinxhinieri i Kombinatit Mekanik të qytetit të Poliçanit, z. Ardian Spaho, ka thënë se gjatë procesit të pastrimit të kryer në këtë poligon, si rezultat i pakujdesisë së treguar nga punëtorët, që për shkak të temperaturave të ulëta kanë ndezur një zjarr për t’u ngrohur, ka shpërthyer një djegore që ndodhej në njërën nga kutitë, duke i marrë jetën një punëtoreje 45-vjeçare dhe plagosur dy të tjerë. Spaho ka pohuar se në momentet e shpërthimit të djegores, puna në këtë poligon nuk kishte filluar ende, duke saktësuar se në asnjë prej proceseve teknologjike të demontimeve të gëzhojave nuk ka pasur asnjë lloj incidenti. Spaho ka theksuar se në këtë poligon punonin 6 punëtorë të specializuar për demontim armësh e municionesh dhe aksidenti ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së vetë punëtorëve, që në kundërshtim me rregulloren kanë ndezur një zjarr jashtë ambienteve të poligonit për t’u ngrohur.
Nënkryetari i grupit kuvendor të PS, Erion Braçe
Nënkryetari i grupit kuvendor të Partisë Socialiste, deputeti Erion Braçe, i mbërritur paraditen e djeshme në qytetin e Poliçanit, ka deklaruar se ngjarja e ndodhur në Kombinatin Mekanik të Poliçanit është shumë e rëndë dhe tragjedia bëhet edhe më madhe në familjen e viktimës, Suzana Kapxhiu, për shkak se vetëm disa muaj më parë në këtë familje ka vdekur bashkëshorti i saj dhe humbja e djeshme ka lënë jetim dy fëmijët e familjes Kapxhiu, të cilët ndodhen në kushte të rënda ekonomike. Braçe ka pohuar se tragjedia nuk ka asnjë lidhje me procesin e demontimit, i cili nuk ka filluar ende të kryhet në këtë kombinat. “Por ajo që është evidente, është fakti i kushteve minimale të sigurisë në të gjithë Kombinatin Mekanik të Poliçanit, për të cilat duhen marrë masa ekstreme për të vendosur apo për të rikthyer standardet e sigurisë në çdo ambient me rrezikshmëri të lartë, në të cilin punohet”, - tha Braçe.
Sipas deputetit Braçe, Kombinati Mekanik i Poliçanit ka nevojë për kushte e standarde të sigurisë për çdo punëtor që punon në të, ndërkohë që, po sipas Braçes, ngjarja e djeshme ka lidhje me shtetin, politikën e mbi të gjitha pushtetin, pasi vëmendja në këtë qytet kthehet vetëm kur në të ndodhin tragjedi.
Kryetari i bashkisë, Adriatik Zotkaj
Kryetari i Bashkisë së qytetit të Poliçanit, Adriatik Zotkaj, ka pohuar se tragjedia e ndodhur në Kombinatin Mekanik të Poliçanit ka ardhur si rezultat i pakujdesisë së treguar nga punëtorët e poligonit, ku ndodhi ngjarja, të cilët i kanë vënë zjarrin kutive prej dërrase, në të cilat transportoheshin municionet, pa e ditur se në njërën prej tyre ndodhej një djegore, që shpërtheu nga nxehtësia. Zotkaj ka pohuar se nga tragjedia e ndodhur ka gjetur vdekjen një grua 45-vjeçare dhe janë plagosur dy punëtorë të tjerë, të cilët ishin nga punëtorët më të vjetër të këtij kombinati. Kryetari i bashkisë, Adriatik Zotkaj, ka theksuar se kemi të bëjmë me një aksident njerëzor dhe menjëherë pas ngjarjes bashkia ka marrë të gjitha masat për mbështetjen financiare të fëmijëve të viktimës, Suzana Kapxhiu, si dhe për dy familjet e të plagosurve në këtë ngjarje. Zotkaj ka falënderuar medien për punën e bërë në pasqyrimin me vërtetësi të çdo ngjarjeje të ndodhur, ndërkohë që është shprehur i pakënaqur me indiferencën e treguar nga ministrat e qeverisë Berisha dhe vetë kryeministrit, të cilët, sipas Zotkajt, minimalisht duhet të telefononin për t’u informuar në lidhje me tragjedinë e ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Poliçanit, ku humbi jetën një punëtore 45-vjeçare dhe u plagosën dy të tjerë.
I mbijetuari, Adriatik Hysenbelliu
I mbijetuari nga kjo tragjedi, 46-vjeçari Adriatik Hysenbelliu, ka thënë për gazetën se ai kishte shkuar në punë si çdo ditë tjetër, por për shkak të të ftohtit, punëtorët e këtij poligoni kishin ndezur një zjarr për t’u ngrohur. “Ndërkohë që ishim duke u ngrohur rreth zjarrit, njëra nga arkat e drurit që përdorej si ambalazh për djegoret, kishte pasur brenda njërën prej tyre dhe pas djegies së kutisë prej druri ajo shpërtheu, duke na rrëzuar të gjithëve përtokë. Pasi morëm veten, pamë që disa prej nesh ishin plagosur, ndërsa shoqja jonë, Suzana, ishte mbuluar me gjak, pasi predha e kishte kapur në kokë.”