“Dosjet e Sigurimit nuk do hapen kurrë”
Ish-disidenti i njohur, Maks Velo, i burgosur në 1978 për tetë vjet për “tendenca moderniste” në veprat e tij artistike, i tha Besar Likmetës se dosjet e Sigurimit nuk do të hapen kurrë, derisa të jetë në pushtet kjo elitë
A mendoni se elita politike e ka seriozisht çështjen e hapjes së dosjeve të Sigurimit?
Gjithmonë kam këmbëngulur se dosjet duhet të hapen, dhe me këtë nuk dua të nënkuptoj ndëshkimin e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit. E kam fjalën për një proces moral të domosdoshëm, që kërkon që këto krime të mos përsëriten. Por jam i bindur se dosjet nuk do të hapen kurrë, sepse ka pasur shumë bashkëpunëtorë; përmasat e sëmundjes ishin dhe janë shumë të mëdha për t’u kuruar.
A kishin ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit mundësi të zgjidhnin mes spiunimit dhe jo-spiunimit, kur rekrutimi bëhej me detyrim?
Me justifikimet që japin këta njerëz mund të mbushësh një enciklopedi, por unë nuk i besoj... Sepse mua m’u bë presion shtatë herë të bëhesha bashkëpunëtor dhe refuzova. Dilema është, nëse je i gatshëm të dëmtosh të tjerët apo jo... arsyet mund të jenë të shumta, por asnjë arsye në botë nuk është e vlefshme, kur bëhet fjalë për të dëmtuar bashkëqytetarët e tu. Agjentët e Sigurimit ishin shpesh injorantë, të rekrutuar nga fshatrat. Ata donin të jetonin në kryeqytet, të gjenin punë për gratë ose të dërgonin fëmijët në shkolla, dhe për këto arsye të thjeshta ishin të gatshëm të bënin gjithçka. Ata nuk kishin ndërgjegje.
Në librat tuaj ju flisni për një dualitet të krijuar nga regjimi totalitar. Si krijohet ky dualitet?
Nëse shoqëritë e lira kërkojnë të mos kenë identitete të dyfishta, totalitaret kanë synime të tjera. Ata krijojnë dualitet përmes dosjeve sekrete, dy Stalinë, dy Hitlerë, dy Maksë (dy Maks Velo). Njëri është i vërtetë, që je ti apo unë, ndërsa tjetri është artificial, i krijuar nga shteti. Nën regjimin shqiptar, Sigurimi mund të hapte një dosje për ju, kur shkonit në universitet dhe kjo të shoqëronte për gjithë jetën. Ishte një monstër e krijuar nga shteti, ku shumë pak nga veprimtaria juaj mund të regjistrohej. Ti mund të ishe tjetër njeri nga dosja jote, por dosja kishte më shumë peshë se ty në shoqërinë që jetonim. Dosja ishte qendra, unë periferia.
Cili ishte kufiri mes lirisë personale dhe ndërhyrjes së shtetit nën atë regjim?
Regjimi komunist i Hoxhës ishte më absurdi në Evropë. Përballë tij, Hamleti e Makbethi nuk ishin asgjë. Para se të arrestohesha, unë besoja se, ngaqë nuk i bëja keq njeriu, isha i lirë të bëja ca gjëra. Mendoja se isha i lirë t’i flisja një vajze të huaj, të kërceja me të në plazh me muzikë italiane në sfond apo ta pikturoja atë. Isha jorealist. Përpiqesha të shtyja kufijtë e betonuar, pavarësisht se qëllimet ishin të mira. Në Shqipëri asokohe, nëse nuk kishte lidhjet e nevojshme, ishte si të dilje në ring duke u përballur me katër boksierë njëherësh. E sigurt që do të plandoseshe përtokë.
Krimet e nazizmit në Evropë u dënuan. Përse ka qenë më e vështirë për t’i dënuar krimet e periudhës komuniste?
Nazistët u rrëzuan, ndërsa komunistët jo. Komunizmi në Shqipëri nuk u rrëzua nga një fuqi e huaj që atëherë të kërkonte drejtësi për krimet që ishin bërë. Hierarkia komuniste në Shqipëri vazhdon të sundojë, megjithëse jo direkt. Ata janë ndër njerëzit më të pasur të vendit. Nëse shihni planin urban të Tiranës dhe bëni një analizë, ish-komunistët janë mes atyre që zotërojnë pjesën më të madhe të pasurive të paluajtshme.
Çfarë ndjeni për njerëzit që u spiunuan dhe dëshmuan kundër jush në gjyq?
Kam takuar disa prej tyre, por në Shqipëri askush nuk di të thotë: “Më fal”. Ata nuk e dinë se ç’do të thotë “më fal” në këtë vend. Është një fjalë, e cila nuk është shqiptuar kurrë, kështu ne duhet ta heqim nga fjalori. A mund të besoni sesa njerëz në Tiranë duan të thonë “më fal”? Ata përpiqen ta tejkalojnë atë që ka ndodhur; përpiqen ta maskojnë atë. Disa më kërcënojnë vazhdimisht. Ata më kanë kërcënuar, kur publikova emrat e tyre. Njëri prej tyre më sulmoi në rrugë. Shqipëria është një vend, ku ende ka njerëz që nuk kanë parime morale.