Flamuri ndan udhëzimet për Poliçanin
Antena brenda familjes
Flamuri punoi dje deri vonë. Ai burri i kërkoi të udhëzonte delegacionin që do shkojë sot në Poliçan në varrimin e viktimës. “Do jetë nivel i ulët, - tha, - por do bësh kujdes t’i mësosh se ç’duhet të thonë.” Flamuri mori lapsin dhe nisi të mbajë shënim.
- Së pari duhet të mos kenë frikë të thonë se ishte si në Gërdec. Papërgjegjësi njerëzore ishte zotëri, si në Gërdec ishte. Mund të kishte aty afër barut dhe 25 të tjerë dhe do ishin vrarë të gjithë. Kështu ka qenë Gërdeci, të thonë. Ja, kaq i thjeshtë. Kaloi një qerre, hodhi një bisht cigareje qerrexhiu dhe plasi flaka. U bënë shkrumb e hi gjithë ata njerëz. Ta thonë, mos të mërziten. Nuk më ngelet qejfi mua. Jo, duhet ta thonë këtë se s’bën. Se kështu atyre u ngulitet në mendje se Gërdeci është aksident teknologjik dhe papërgjegjësi njerëzore. Ishte shpërthim i tmerrshëm. Dhe ai dje i tmerrshëm ishte, le të thonë si të duan. Po një fatzezë ishte ajo që e pësoi. Në Gërdec kishte vetëm një Fatmir dhe ai shpëtoi. Dëgjo Flamur, këtë duhet ta thonë. Se duke e thënë kështu, del e qartë që im bir s’ka lidhje me Gërdecin. Me sa ka lidhje me Poliçanin, ka lidhje dhe me Gërdecin. As shoku i tij s’ka lidhje, se po të kishte lidhje me Gërdecin, do kishte dhe me Poliçanin. Se këto njësoj janë zotëri. Jo, njësoj janë. E dinë të gjithë që njësoj janë. Shpërthim aty, shpërthim atje, vdekje këtu, vdekje atje, armë këtu, armë atje, vetëm shifrat ndryshojnë. Epo për shifrat nuk mbajmë përgjegjësi ne. Dhe Oketa nuk ka faj. Ka thënë do ta bëjmë shembullor demontimin, shembullor po e bën. Po zjarr do bëjnë ata, se njerëz të gjallë janë. Si në Gërdec tamam ka ndodhur.
Së dyti, duhet t’i porosisësh të thonë se duhet të mësohemi me këto tragjedi. Duhet të jenë njerëz të shkathët dhe të flasin për cilësitë e shqiptarëve si njerëz të papërgjegjshëm. Njëri prej tyre mund të thotë për shembull: “Tani, s’po e themi zyrtarisht se mos na dëgjon kryeministri, se ai i do shumë shqiptarët, por ne jemi popull i papërgjegjshëm”. Jo, ta thotë këtë, se jemi në fakt. Një popull që nuk vë mend, po shkon drejt e në vdekje me këmbët e veta. ǒdo ajo grua pa burrë te predhat?! Nuk e dinte ajo që do t’i linte fëmijët jetimë? Jo, ta thonë dhe këtë.
E treta, porosit që të kërkojë shpërblim ajo familja nga qeveria. Do t’i japim fëmijëve të saj një shpërblim. Jo, ne i shpërblejmë viktimat, kemi respekt për to. Nuk jemi si të tjerët. Jepua këto porosi t’i përhapin nëpër qytet.
- Dakord, i mbajta shënim, - tha Flamuri. - Nuk dimë kush është drejtor në Poliçan që t’i themi dhe atij.
- Flamur, aty ka qenë drejtor ai Mahmutaj. Mahmutaj zotëri është vëllai i shokut të ngushtë të Fatmir Mediut. E kam pyetë me thënë të drejtën disa herë Fatmir Mediun dhe më ka thënë që ka qenë djalë flori. E paska pas kryetar të Forumit Rinor Republikan dhe i kishte nxjerrë vizë për Itali. Ia kapi polica italiane, ia mori nga duart. Mori dhe këtë si të pandehur, por e shpëtoi avokat Ngjela. S’ia kam falë kurr avokatit këtë, derisa e përjashtova. Fatmiri thotë ishte flori djalë. Policia italiane thoshte ka vrarë njerëz dhe ka bërë trafik droge. Fatmiri thotë ishte flori. Flokët, sytë, moshën dhe tiparet i kishin njësoj me atë që kërkonte policia, por emrin, Fatmiri thotë, e kishte ndryshe. Mund ta kenë arrestu kot, se atëherë ishin në pushtet të majtët në Itali. S’di çka me thënë. Nëse është drejtori ai Mahmutaj, s’ka faj. Fatmiri thotë që është djalë flori dhe hyn te çunat e mirë të shoqërisë. Po të jetë ai, bëji të fala nga unë. Po nuk është ai, do jetë ndonjë shok i tij. Bëji të fala nga unë. I thuaj na duhen sa më shumë raste që t’i ngjajnë Gërdecit, por jo me shumë viktima. Me nga një, me nga dy, që në fund t’i krahasojmë dhe ta dinë mirë ata që akuzojnë, se ne s’kemi gisht në këto ngjarje të shkaktuara nga papërgjegjësia njerëzore.