E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli ka plot taktika për luftë, por asnjë për paqe

Nga Jonathan Freedland, “The Guardian”

Të gjithë të përfshirët dhe shumica e atyre që po e përcjellin gjakderdhjen në Gazë nga largësia, janë të sigurt kush është me të drejtën, e kush me të gabuarën. Ata e dinë se kush janë viktimat e pafajshme dhe kush janë agresorët e këqij. Kjo gjë e sigurt mbahet njëlloj fort edhe nga ata, të cilët demonstruan në solidaritet me palestinezët në Londër, edhe nga ata, të cilët planifikojnë të tregojnë përkrahje për Izraelin më vonë këtë muaj.

Që të dy anët e shohin konfliktin në kuptim moral. Për përkrahësit e palestinezëve nuk mund të bëhej më e qartë. Izraeli po kryen krime lufte, po vret me qindra njerëz, po gozhdon një popullatë të rrethuar nga qielli dhe nga toka, duke thënë se ka cak vetëm Hamasin, por pa dyshim duke goditur edhe ata civilë që qëllojnë rrugës.

Tifozët e Izraelit janë po aq të qartë. Izraeli është viktima, duke goditur vetëm në vetëmbrojtje. Qytetarët e saj në jug kanë ndenjur nëpër bunkerë të terrorizuar, të frikësuar nga raketat e Hamasit, që nga viti 2005, aq gjatë sa asnjë shoqëri e civilizuar të mos mund ta durojë më.

Të dy anët thonë se do t'i përmbaheshin armëpushimit gjashtëmuajsh, por ana tjetër e ka shkelur e para. Së pari, edhe nëse Izraeli merr qetësinë që dëshiron, ka çdo arsye për të besuar se do ta kishte marrë këtë edhe pa luftë. Analisti dhe negociatori palestinez, Hussein Agha, thotë se do të kishte qenë “e thjeshtë: nëse do ta hiqnin bllokadën, raketat do të ndaleshin.”

E dyta, nëse Izraeli shpresonte të thyente Hamasin, ka zgjedhur mënyrën e gabuar. Udhëheqësit e saj e kanë bërë këtë gjë shumë shpesh, vazhdimisht duke e lexuar gabimisht mënyrën se si funksionojnë shoqëritë arabe. Ata besojnë se, nëse e godasin Gazën aq sa duhet, popullata vendase do ta fajësojë Hamasin për këtë tragjedi. Por nuk shkon ashtu. Në vend të kësaj, popullata e Gazës fajëson Izraelin. “Çdo gjë që nuk e vret Hamasin, e bën më të fuqishëm”, - thotë Agha, duke cekur mënyrën se si është rritur fuqia e organizatës në botën arabe, të përkrahur si parti e rezistencës, dhe është kthyer në një “fenomen rajonal”.

Dhe kjo shkon pa e përmendur urrejtjen e freskët, të cilën Izraeli ka ngjallur kundër vetes, duke krijuar një gjeneratë të re të gazanëve, të cilët do të duan hakmarrje. Çdo fëmijë, i cili ka parë bombardimin e kësaj jave, është edhe një rekrut për dhunën e së nesërmes.

Andaj po, mund të ketë avantazh afatshkurtër për politikanët e Izraelit, me sy në kalendarin e zgjedhjeve, duke e goditur Hamasin rëndë. Por eksperti nga Evropa, i cili më tha që kjo është “taktikë, jo strategji nga Izraeli, të cilët janë ekspertë në përballjen e simptomave, jo shkakut”, me siguri ka të drejtë.

Nëse do të kishin pasur taktikë, do të kuptonin se Izraeli nuk mund t'ua zgjedhë palestinezëve udhëheqjen dhe se Hamasi është pjesë e realitetit palestinez. Një strategji e tillë e paqes do të vendoste të tërhiqej nga pothuajse i tërë Bregu Perëndimor dhe me këtë, duke e bërë Abassin dhe procesin paqësor të besueshëm në sytë e popullit të tij.

Por, nuk ka një strategji të tillë të paqes, vetëm një udhëheqje të Izraelit aq shumë të magjepsur nga fuqia e saj ushtarake, saqë ka nisur të besojë se forca është gjithmonë përgjigje dhe mënyrë e mirë për t'iu shmangur pyetjeve më të vështira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›