E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, disidentët dhe spiunët e saj

Nga Mon Zhubi

Deshën apo nuk deshën bijtë e shokëve Maliqi, Haxhiu etj., Kuvendi i Kosovës e ka për detyrë që herët a vonë ta miratojë ligjin për hapjen e dosjeve në Kosovë.

Ditë më parë, gazetari i të përditshmes kosovare, “Express”, Ilir Mirena, në një shkrim, të cilin e ka botuar edhe gazeta “TemA”, kishte shtruar një problem, me të cilin gjer më sot askush nuk është marrë në Kosovë, çështjen e lustrimit në Kosovë, duke kërkuar përgjigje në pyetjet se “A duhen pastruar të gjitha postet publike nga nomenklatura e kaluar apo të përmbyllet në heshtje një periudhë gjysmëshekullore pa asnjë debat?”

Këto dilema në Kosovë nuk janë shtruar kurrë, siç e cek edhe z. Mirena, dhe si rrjedhojë shtrohet pyetja: Pse bashkëpunëtorët e UDB dhe OZN famëkeqe jugosllave në Kosovë duhet të jenë të privilegjuar, për dallim nga kolegët e tyre të ish-shteteve komuniste? Por nuk duhet harruar se kësaj kategorie njerëzish u duhet shtuar edhe një numër i konsiderueshëm i komunistëve shqiptarë në Kosovë, të cilët me devotshmërinë më të madhe i shërbyen “Vëllaznim-Bashkimit” jugosllav, në shumicën e rasteve në dëm të popullit të vet.

Reagimet për këtë problematikë pro dhe kundër nuk vonuan dhe për çudi erdhën kryesisht nga kolegët e z. Mirena, pra, nga gazeta “Express” ku ai punon. Fillimisht kolegu i tij Petrit Selimi, duke kundërshtuar idenë e hapjes së dosjeve, shkrimin e kolegut Ilir Mirena, e konsideron si “çast i lodhjes së z. Mirena nga presionet e ritmit monoton në punën e një të përditshmeje”, e kjo, sipas z. Selimi, na jep me kuptu se z. Mirena, sipas të gjitha gjasave i pavetëdijshëm për problemin, e paska shkruar vetëm për sensacion këtë artikull, një temë e cila, sipas tij, nuk duhet hapur në Kosovë!

Unë e kuptoj z. Selimi, ngaqë për moshën e re që ka me siguri nuk ka paragjykime për ish-nomenklaturën shqiptare të shërbyesve komunistë jugosllavë dhe mirë është që nuk ka, por ama irritohem pa masë, kur rolin mbrojtës të kësaj nomenklature e marrin përsipër bijtë e komunistëve, duke na servirur një varg argumentesh të pavërteta.

Më datën 22 dhjetor të vitit të kaluar gazeta “Express” në faqen 2 dhe 3 kishte dy kolumne të autorëve Shkëlzen Maliqi “Dosja e Komunizmit” dhe e Baton Haxhiut, të cilën e ka botuar edhe e përditshmja “TemA” me titull “Emrat e përveçëm në lustrën kosovare”.

Si duket autorët nuk ishin koordinuar mes veti, ngaqë për dosjet e shërbyesve komunistë në Kosovë jepnin fakte kontradiktore.

Z. Maliqi në shkrimin e tij na bëri me dije se “dosjet e shërbimeve sekrete komuniste nuk kanë qenë edhe as sot nuk janë në arkivat e Kosovës, por në Beograd”.

Z. Haxhiu ndërkaq thotë se nga arkivat, nuk e saktëson se cilat, “prej vitit 1956 e këtej e gjer në vitin 2008” paska lexuar me mijëra faqe për të parë se “çka kanë qenë shqiptarët e pushtetshëm të kohës së komunizmit”.

Dikush këtu po gënjen, z. Maliqi tha se dosjet janë në Beograd, ndërsa z. Haxhiu deklaron se ka lexuar me mijëra faqe të këtyre dosjeve!

A mos vallë, ndoshta z. Haxhiu është i vetmi kosovar që ka ekskluzivitetin nga Beogradi për t’i lexuar dosjet e ish-shërbyesve komunistë kosovarë apo ato me të vërtetë janë në Kosovë dhe priten të hapen? Këto dilema presim të na qartësojnë zotërinjtë e lartpërmendur në të ardhmen e afërt.

Sidoqoftë puna e dosjeve, besoj se koha do ta dëshmojë se cili prej tyre ka thënë të vërtetën, por është kuptimplotë fakti se, si njeri, si tjetri, mundohen të na sjellin fakte dhe argumente të bollshme, me disa prej të cilave ndoshta edhe mund të pajtohem, ku mundoheshin me të gjitha mjetet të arsyetonin veprimet e komunistëve të atëhershëm dhe të sotëm, të cilët, jo në masë të vogël, edhe sot i kanë zënë vendet udhëheqëse në shumë institucione të rëndësishme të Kosovës. E një prej këtyre institucioneve, konkretisht Radiotelevizioni i Kosovës, i udhëhequr nga një ish-komunist, në mënyrën më të pamoralshme dhe hipokrite në dokumentarin për Rexhai Surroin, një ish-ambasador i Jugosllavisë në Spanjë, i cili vdiq aksidentalisht po në Spanjë, u krahasua me eruditin dhe intelektualin më të madh kosovar Jusuf Gërvalla, të cilin, siç dihet, e vranë bashkëpunëtorët e UDB jugosllave.

Prandaj nuk e kuptoj, pse z. Maliqi dhe z. Haxhiu morën mundimin dhe reaguan kaq shpejt ndaj shkrimit të z. Mirena, kur që të dy këta, në qoftë se jo personalisht, atëherë kanë një hipotekë familjare, ngaqë baballarët e tyre me devotshmëri i shërbyen sistemit komunist jugosllav. Ndoshta edhe këtë radhë vlen fjala e urtë popullore “I djeg atij që e ka mizën në kësulë”.

Ndryshe krejt është me shkrimin “Për Dosjet” e z. Halil Matoshi, po në gazetën “Express”, i cili flet në emër të vet, për, siç e quan, “ hijen e vet” Tahir Veselin, të cilin ai e fal, por distancohet nga kërkesa e z. Haxhiu se duhet të falë të gjithë ata, të cilët në forma të ndryshme kanë kontribuar në burgosjen e qindra-mijëra shqiptarëve në Kosovë dhe masakrimin e mijëra të tjerëve.

Autori i këtyre rreshtave ka qenë anëtar i një familjeje të përndjekur politikisht, e cilësuar nga regjimi i atëhershëm komunist jugosllav si “familje reaksionare nacionaliste”, duke ma burgosur babanë në procesin e të ashtuquajturve të shehlerë në vitin 1954, në Prizren, me 11 vjet heqje lirie.

Nuk dua t’i kujtoi ato vite, të shkuara dhe të kaluara, por e di një gjë se babanë tim (kur ai u burgos, unë isha vetëm 2 vjeç dhe nuk e njihja), e pashë për herë të parë në vitin e tretë të shkollës fillore. Kalvari ynë familjar nuk mbaroi me kaq, ngaqë, për shkak të presioneve të formave të ndryshme, që unë nuk i kuptoja se isha i vogël, u desh të emigronim në Sarajevë.

Dhe sa për dijeninë tuaj z. Maliqi e Haxhiu, presionet nuk na i bënin serbët, por zyrtarët shqiptarë të institucioneve të atëhershme komuniste.

Hipokrizia e radhës ndodhi në vitin 1979, kur pasi kisha kryer shërbimin ushtarak të APJ së atëhershme dhe pasi një vit më parë isha diplomuar në fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, me shumë entuziazëm u ktheva në Kosovë.

Për ballafaqimin me realitetin nuk m’u desh shumë kohë, në një konkurs të shpallur për një gazetar në Radio Gjakova, u paraqita edhe unë. Natyrisht që nuk u pranova, edhe pse isha i vetmi i diplomuar dhe i atij profili. Siç mora vesh më vonë nga disa miq, Komiteti i atëhershëm i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë nuk më kishte dhënë dritën e gjelbër për punësim në një institucion shtetëror, siç e quanin ata Radio Gjakovën, me arsyetim, i papërshtatshëm politikisht, “familje reaksionare”, dhe pranuan një student të dështuar të mjekësisë si djalë i një kuadri komunist.

Të njëjtët persona, zotërinj të nderuar, vendosin edhe sot për punësimin tim dhe të fëmijëve të mi, sepse kanë zënë postet udhëheqëse. Prandaj nuk mund të fshihemi nga referenca historike. Dosjet janë hapur në të gjitha shtetet e ish-bllokut, por historia shqiptare nuk ka të ngjarë me popujt që vetëm përkohësisht kanë qenë të okupuar, e jo si shqiptarët, gjithmonë. Kështu që, ata të tjerët mundë t’i klasifikojnë si tradhtarë në varësi të kualiteteve të pushteteve që iu kanë shërbyer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›