Skolari bëhet gati për festën
Luiz Felipe Skolari, trajneri i Çelsit, ka kërkuar që tifozët e Çelsit të jenë në lartësinë e duhur për ndeshjen e sotme kundër Uest Bromit në Stamford Bridge, duke u uruar atyre njëkohësisht Krishtlindjet. Skolari u ka dërguar një mesazh tifozëve të Çelsit, duke u thënë se ata nuk duhet ta nënvlerësojnë rrezikun që paraqet skuadra e Uest Bromit, edhe pse renditet në vend të fundit në Premier Ligë. Për Skolarin është e pazakontë të luhet në këtë kohë të vitit dhe po përshtatet gradualisht me kalendarin e ndeshjeve në Premier Ligë. "Shoh se në Angli njerëzit e duan futbollin. Kam pyetur disa njerëz në supermarket dhe ata më kanë thënë se kjo ndeshje do të jetë e mirë për ne. Për skuadrën kjo është një ndeshje më shumë, por fitorja do të na bëjë ta kalojmë bukur Krishtlindjen. Por dua t'ju them të mos prisni një ndeshje të lehtë," - ka qenë mesazhi i Skolarit, në faqen e internetit të Çelsit. Trajneri i londinezëve ka të drejtë kur bën thirrje për kujdes, pasi skuadrat e mëdha kanë pasur shumë vështirësi të marrin pikë të plota kundër skuadrave modeste, madje edhe në fushën e tyre. Skolari gjithashtu e respekton faktin që skuadra e Uest Bromit parapëlqen të luajë me pasa dhe të ndërtojë aksione të rrjedhshme, ndryshe nga disa skuadra të tjera të vogla. "Uest Bromi ka lojtarë të mirë për të kundërsulmuar dhe luajnë shumë më tepër me topin, në krahasim me disa skuadra të tjera të Premier Ligës. Ata nuk luajnë me topa të gjatë, por me pasime të shpeshta. Janë në fund të tabelës dhe u duhet të luftojnë shumë në çdo ndeshje, për të siguruar mbijetesën. Skuadra ime duhet ta ketë të qartë këtë gjë dhe të luajë me të njëjtin motivim. Motivimi sjell kualitet loje," - ka thënë trajneri brazilian, i cili synon fitoren për të shmangur kritikat që i janë drejtuar, pas lënies së plot 14 pikëve në Stamford Bridge këtë sezon.