E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bazilika e Elbasanit do të zbulohet plotësisht

Bazilika paleokristiane në qendër të qytetit të Elbasanit, gjurmët e së cilës dolën në dritë dy vjet më parë, do të zbulohet tërësisht në kuadër të një projekti të Bashkimit Europian që ka akorduar një fond prej 1.2 milionë eurosh për rikonstruksionin e "Via Egnatia", ku përfshihet dhe kjo bazilikë. Në bazilikën që ndodhet shumë pranë "Rrapit të Bezistanit" janë duke punuar arkeologë të qytetit në bashkëpunim me specialistët e Fakultetit të Shkencave Humane në universitetin "Aleksandër Xhuvani".

Deputeti Ardian Turku, ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, është shprehur se "monumenti i zbuluar në Elbasan, që vlerësohet si më i rëndësishmi në këto 20 vitet e fundit, veç fondeve të projektit të Bashkimit Europian, do të përfitojë financime edhe nga buxheti i shtetit". Ai përmendi këtu grantin prej 10 milionë eurosh, akorduar nga Ministria e Turizmit për 6 projekte në rrethe të ndryshme të vendit. "Një pjesë e këtij fondi do të shërbejë dhe për zbulimin e rrugës Egnatia, brenda kalasë së Elbasanit, dhe zbulimin e plotë të bazilikës paleokristiane", tha deputeti i Elbasanit, z. Turku.

Si vlerën më të rëndësishme të kësaj bazilike, specialistët veçojnë mozaikun brenda saj, që vetëm këtë vit është vizituar nga të paktën 5500 turistë. Gërmimet në bazilikën paleokristiane, që ndodhet shumë pranë portës së kalasë së Elbasanit dhe "Rrapit të Bezistanit", nisën në muajin gusht të vitit 2007. Puna nisi pas një sondazhi arkeologjik, duke u bazuar në një dokument të ruajtur në arkivin e Muzeut Etnografik të qytetit të Elbasanit. Një ish-tregtar, Sul Shehu, kishte lënë një dokument ku thuhej se "poshtë themeleve të dyqanit të tij ndodhej një bazilikë". Referuar këtij dokumenti, dy vjet më parë arkeologët nisën gërmimet, të cilat nxorën në dritë mjaft objekte si shtylla mermeri, të gjata rreth 5 metra, me punime dekorative, të ekspozuara tashmë në hollin e Muzeut Etnografik në Elbasan. Gjithashtu, arkeologët që morën pjesë vetë në zbulimin e mozaikut kanë gjetur dhe një kapitel, pjesë zbukurimi që vendoset sipër kolonave, një afresk që ndodhet në mur, si dhe dy varre që i përkasin shekullit të pestë. Mbi bazën e këtyre objekteve, specialistët u shprehën se mendohet që ky monument të jetë shkatërruar përfundimisht në fundin e shekullit VI ose fillimi i shekullit VII të erës sonë. Sondazhi i kryer tregon se bazilika ka përmasa të mëdha, por aktualisht është zbuluar një pjesë e naosit dhe e nefit jugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›