E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi europarlamentar i vizave

Këto ditë, opinionit publik po i serviret një lajm i bukur nga zyrat e komisioneve të brendshme dhe të jashtme të Parlamentit Europian. Në opinionin që këto komisione po përgatisin në lidhje me propozimin e KE-së për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkohet me vendosmëri përfshirja edhe e vendeve të mbetura jashtë listës pozitive të Shengenit, përkatësisht Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës në këtë listë. Gjithashtu kërkohet dhënia e një udhërrëfyesi Kosovës si i vetmi vend pa këtë dokument në të gjithë rajonin, pa paragjykim ndaj statusit të saj nga vendet anëtare të BE-së. Nëse problematika e Kosovës është tjetër, posaçërisht fillimi i këtij procesi, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Shqipërinë, me të cilën BE-ja e ka hapur dialogun e liberalizimit të vizave qysh më 7 mars 2008, kur zv.presidenti i atëhershëm i Komisionit Europian, Franco Frattini, e prezantoi këtë nismë në Tiranë.

Opinioni që po përgatit Parlamenti Europian nëpërmjet raportueses për këtë çështje në grupin e çështjeve të brendshme, europarlamentares sllovene Tanja Fajon, që gëzon gjithashtu edhe mbështetjen e grupimit tjetër, atij për çështjet e jashtme, do të jetë një opinion që shpreh aspiratat e qytetarëve të Shqipërisë për të gëzuar lëvizje të lirë në të gjithë hapësirën Shengen dhe të mos mbetet prapa qytetarëve të vendeve të tjera të rajonit. Duhet theksuar se ky opinion, para se të shihet si një arritje për vetë Shqipërinë, ka në prapavijën e saj të tjera arsye paksa më primare për t‘u paraqitur në formë të tillë.

Në radhë të parë, Parlamenti Europian mbetet një institucion i cili opinionin e vet politik e ka vetëm mbështetës, këshillëdhënës. Ky opinion nuk është i detyrueshëm, qoftë për Komisionin Europian në hartimin e dokumenteve të veta, qoftë për këshillin kur i duhet të marrë vendimet e rëndësishme. Vetëm kur këshilli kërkon edhe opinionin e Parlamentit Europian, ky i fundit e përgatit atë në lidhje me një propozim të komisionit. Nisur nga ky fakt, Parlamenti Europian është një institucion më pak i përfshirë në vendimmarrjen europiane në krahasim me komisionin dhe këshillin. Prandaj, ekziston edhe një formë e tërthortë e parlamentarëve europianë për t‘ia rritur prestigjin dhe rolin këtij institucioni, gjithsesi prestigjioz, duke marrë shpesh edhe rolin e liderit në çështje të rëndësishme. Kjo sjell ndonjëherë edhe njëfarë konkurrence midis Parlamentit dhe Komisionit Europian, që siç dihet është "ekzekutivi" i BE-së ai institucion që i ka më të prekshme çështjet, pasi ndodhet në kontakte të përditshme me to. Është kjo arsyeja pse Komisioni Europian, duke njohur gjendjen në terren, dhe në rastin tonë, për fat të keq, të mospërmbushjes së mjaftueshme të kritereve të udhërrëfyesit drejt një regjimi pa viza, propozoi mbajtjen ende të Shqipërisë në regjimin aktual. Komisioni Europian i vlerësoi dy herë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në nëntor 2008 dhe maj 2009, pasi kishte dërguar edhe një mision ekspertësh të fushave të ndryshme në secilin prej vendeve në pranverë 2009 dhe më pas sugjeroi heqjen e regjimit të vizave për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë dhe ruajtjen e status quo-së për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Pra, edhe pse Parlamenti Europian mund të kërkojë heqjen e vizave për Shqipërinë, në mënyrë që të ngrejë stekën e rëndësisë së vet, por që në këtë rast për popullin shqiptar do të ishte një arritje vërtet e kënaqshme, kjo kërkesë nuk përshtatet me realitetin dhe nuk mund të ngatërrohet me përgatitjen reale të Shqipërisë për ta përfituar këtë rezultat. Kjo vërtetohet edhe me deklaratat e fundit nga Presidenca suedeze e BE-së, e cila thekson detyrimin e Shqipërisë për përmbushjen deri në fund të të gjitha kritereve të udhërrëfyesit.

Ka edhe një arsye të dytë se pse Parlamenti Europian ngulmon për një ndryshim të propozimit të komisionit. Duke marrë shkas nga procedurat shpesh tepër të gjata e të lodhshme për t‘u rimarrë sërish me të njëjtën çështje deri në vendimmarrjen përfundimtare (e cila ndonjëherë kërkon deri gjashtë muaj kohë), kërkohet ndryshimi i propozimit vetëm me qëllim reduktimin e kohës dhe energjive për t‘iu kthyer sërish të njëjtës çështje në një moment të mëvonshëm. E gjitha kjo duke e lënë Shqipërinë praktikisht në të njëjtat pozita si deri tani, por duke shkurtuar vendimmarrjen europiane. Pra, nuk është një "favor" që po i bëhet Shqipërisë, por një "favor" që Parlamenti Europian po i bën vetvetes dhe institucioneve të tjera europiane për shkurtimin e hallkave burokratike. Opinioni i Parlamentit thekson se Shqipëria gjithsesi do të duhet t‘i plotësojë të gjitha kriteret e shënuara në udhërrëfyes dhe vetëm më pas mund të kërkojë nga BE-ja hyrjen në fuqi të regjimit pa viza, pasi edhe vetë Komisioni Europian ta ketë dhënë dritën jeshile për këtë çështje. Shqipëria do të mbetet sërish në të njëjtin pozicion si më parë, ku do të duhet një hop madhor në përmbylljen e kritereve. Edhe në këtë rast, pavarësisht vullnetit politik të Parlamentit, vullnet i cili na është shprehur vit pas viti nëpërmjet dialogut të vizave, Shqipërisë i duhet të punojë fort për realizimin e kritereve të mbetura, ashtu siç bëri edhe Mali i Zi dhe Serbia në më pak se një vit, e jo të mbetet në kuadrin e deklaratave se tashmë edhe Parlamenti Europian po na mbështet.

Çështja e liberalizimit të vizave është një çështje tepër sensitive për popullin shqiptar dhe pikërisht për këtë arsye qeveria duhet të ishte pakrahasimisht më transparente lidhur me arritjet dhe mosarritjet në përmbushjen e kritereve, apo në ndërmarrjen e iniciativave për realizimin e tyre. Shpërndarja e pasaportave biometrike në numër të kënaqshëm shihet si rruga e vetme e shpëtimit për ta paraqitur situatën si shumë të kënaqshme dhe shumë pranë arritjes përfundimtare. Është e vërtetë se ky është një kusht i domosdoshëm drejt liberalizimit të vizave dhe kjo pikë mund të konsiderohet si e realizuar, por nuk duhet harruar se ky është një prej shumë kritereve që janë ende për t‘u përmbushur nga qeveria shqiptare. Dhe për më tepër, kriteri i pasaportave nuk kërkon më punë nga qeveria, por thjesht ai i vishet masës së njerëzve, të cilët udhëzohen të paguajnë nga 6000 lekë që të kenë këtë dokument sa më shpejt. Përmbushja e kritereve të tjera janë pak të njohura nga njerëzit dhe këtu qëndron edhe thembra e Akilit e qeveritarëve. Në mungesë të punës sistematike të realizimit të obligimeve teknike të udhërrëfyesit, mendohet se gjithçka do të zgjidhet vetëm duke plotësuar shpërndarjen e një numri të konsiderueshëm pasaportash biometrike. Në dallim nga kjo situatë "e pëlqyeshme", ku paraqitet vendi ynë në lidhje me realizimin e objektivit madhor të liberalizimit të vizave, vlerësimi i Komisionit Europian jep një pamje jo edhe aq optimiste për Shqipërinë. Detyrat që na paraqiten janë të shumta dhe për këtë komisioni hartoi rishtazi një listë konkrete edhe pas vlerësimit që i bëri vendit tonë. Qysh nga ai moment ka kaluar gati rreth 3 muaj, ndërkohë që edhe Bosnja, e cila ndodhej prapa nesh në plotësimin e kritereve të veta, po ecën me hapa galopantë drejt përmbylljes së procesit. Akoma më tepër duhet të përqendrohemi në detyrat e shtëpisë, pasi nuk ka asnjë mundësi tjetër që klasën ta kalojmë pa mësuar edhe në "sezonin e vjeshtës", pasi komisioni e tregoi tashmë njëherë që notën do ta marrim vetëm sipas arritjeve individuale. Kështu që, nëse nuk përgatitemi, rrezikojmë të jemi të vetmit që mbetemi në klasë përfundimisht, me gjithë ndihmën e pakursyer morale që na jep Parlamenti Europian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›