E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuj shqiptarë në kinema "Agimi"

Sa e fortë është forca e një simboli? Çfarë mund të na sugjerojë një flamur shqiptar i vendosur mbi tarracat e godinave në ndërtim? Si duhet ta kuptojmë një flamur që valëvitet i dalë boje, i grisur në betejë me kohën? Artisti i ri italian, Yuri Ancarani, nuk ka mundur të qëndrojë indiferent ndaj këtij fenomeni që hasi gjatë udhëtimit të parë, në janar të vitit të shkuar nëpër Shqipëri. I interesuar për praninë bizantine në Ballkan, njëkohësisht fitues i projektit të GAI, që mbështet prezantimin e artistëve të rinj italianë në vende të ndryshme, Ancarani udhëtoi drejt Shqipërisë. "Në periferitë e Tiranës, të Elbasanit apo Durrësit, në zona në ndërtim hasa pothuajse kudo flamurin shqiptar të vendosur në tarracat e këtyre godinave. U përpoqa të kuptoja se çfarë domethënieje kishte për shqiptarët, por edhe të reflektoja për flamurin si simbol", shprehet artisti, i rikthyer në Tiranë për të prezantuar ekspozitën e tij. Janë disa fotografi që kanë fokusuar flamuj shqiptarë në kantiere ndërtimi dhe një video gjashtë minutëshe e titulluar "Pink Flag"(Flamuri rozë). Nën kujdesin e kuratores italiane, Alessandra Pioselli, ka zgjedhur po ashtu një vend të veçantë për të ekspozuar punët e tij. Kinemanë e vjetër "Agimi". Në dhomën që i paraprin hyrjes në sallë, në muret që mbajnë ende ngjyrën e limontë dhe shenjat e shkatërrimit janë vendosur pesë fotografi të dimensioneve mesatare, ndërsa në sallën e heshtur, me karriget e vjetra nga ora 19.30-20.30, deri më datën 10 tetor do të projektohet videoja e tij "Flamuri rozë". Ndërsa janë duke punuar, ndonjë kureshtar (i përkasin moshës së tretë) që sheh të hequr kyçin e derës, nuk ngurron të shtyjë derën e të shohë se çfarë po ngjet në kinemanë "Agimi", vend që pas ‘90-ës u njoh si kinemaja e pornografisë. "Flamuri roz" ka si subjekt flamurin shqiptar, që për mua është një ndër më të bukurit në botë, si simbol i identitetit dhe bashkimit të një kombi. Një simbol i dallueshëm përgjatë një udhëtimi në disa zona të Shqipërisë, që ashtu sikurse disa vite më parë në Itali, vendoset në ndërtesat në ngritje e sipër. Flamuj të çngjyrosur, të shkatërruar, vetmitarë që nga të kuq shndërrohen në rozë si pasojë e ekspozimit ndaj diellit, erës e që ndoshta me kalimin e kohës e humbasin forcën, ndoshta edhe domethënien", thekson Yuri Ancarani. Në gjashtë minuta, videoja e tij fokuson flamuj në ndërtesa të ndryshme, ndërkohë që nga njëra pamje në tjetrën sheh një copë të dalë boje që valëvitet në erë, një shqiponjë dykrenare që veç e zezë nuk është, më tej në një rrethim me rrjetë sheh copa të flamurit të grisur derisa në fund mbetet vetëm bishti ku më parë valëvitej një simbol. Vetë artisti, por edhe kuratorja shpjegon se ky flamur simbol me kalimin e kohës kthehet në kontrast krahasuar me idenë e zhvillimit dhe të energjisë që të ofrojnë këto objekte në ndërtim e sipër. Ndërkohë, Ancarani në kontakte me banorë të këtyre periferive është munduar të marrë edhe një shpjegim të domethënies së vendosjes së flamurit në këto ndërtesa. "Kam marrë përgjigje nga më të ndryshmet. Një person i fundit më tha se flamujt i vënë ata që kanë një mentalitet të prapambetur, që janë jashtë kohe", tregon ai. Për të, ky fenomen e ka bërë të vendosë paralele me eksperienca vetjake. Duke ngritur pikëpyetje mbi forcën e një simboli, mbi atë të flamurit, në mënyrë indirekte Yuri Ancarani i rikthehet vendlindjes, Emilia Romagna, e përcaktuar për shumë kohë si "Rajoni i kuq", sepse historikisht është njohur si komuniste. Në këtë kontekst, kuratorja Alessandra Pioselli kujton se në Itali ka qenë Partia më e madhe Komuniste jashtë bllokut sovjetik. Vetë emri rus i artistit është shenjë e asaj kohe. "Por tashmë këto shenja, përfshirë edhe flamurin komunist, janë kthyer në elemente folklorike te ne", thekson kuratorja. Një të tillë, rozë, artisti e ka sjellë me vete në Tiranë. Ndërkohë, i diplomuar në Akademinë e Re të Arteve të Bukura në Milano, ku tashmë jep leksione të video-artit, në po këtë gjini, ka realizuar një tjetër punë në Shqipëri. Bëhet fjalë për plazhin e Durrësit, sipas tij mjaft i ngjashëm me plazhin e Riminit, por që do ta shfaqin në Itali. "Është e çuditshme që në këtë plazh, të frekuentuar veçanërisht nga kosovarët, kam parë çadra, shezllone, por edhe barka me pedale që janë sjellë këtu nga Rimini. Meqenëse një pjesë prej tyre mbajnë edhe shënime, mes tyre kam gjetur edhe nga ato që vite më parë ishin në plazhin ku unë shkoja fëmijë", shprehet artisti. Në të ardhmen, ndoshta të tjera fenomene do t‘i japin shtysë për projekte artistike mbi Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›