E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku mbeti ushtria e Europës?

Që nga rënia e perdes së hekurt para dy dekadave, udhëheqës të ndryshëm europianë kanë shprehur entuziazmin e madh për krijimin e ushtrisë së Europës, e cila do të ishte në gjendje të mbronte interesat e Europës e jo të mbështetej në NATO-n e kryesuar nga amerikanët. Kur Jugosllavia filloi të shpërthejë nga brenda në vitet e 90-ta, kryetari i atëhershëm i Këshillit të BE-së, Jacque Poos, deklaroi: "Është ky momenti i europianëve e jo ai i amerikanëve".

Ajo që pasoi ishte një prej episodeve më të turpshme në historinë moderne të Europës, e cila kulmin e arriti me masakrimin e 8 mijë meshkujve boshnjakë në Srebrenicë nga ana e paramilitarëve serbë në verën e vitit 1995. Edhe përkundër faktit se për këtë krim pjesën më të madhe të përgjegjësisë e mbajnë paqeruajtësit holandezë, arsyet e kësaj katastrofe kanë rrënjët në paaftësinë e fuqive të mëdha europiane për të formuluar një politikë unike dhe koherente për t‘u përballur me shpërbërjen e Jugosllavisë. Pothuajse të gjithë udhëheqësit europianë, pa përjashtim, vendosën interesat e shteteve të tyre mbi politikën e përbashkët të Europës. Në fund u nevojit intervenimi i SHBA-së, në formën e marrëveshjes së Daytonot të negociuar nga Richard Hoolbruk, për t‘i dhënë fund luftës në Bosnjë.

Turpi që pësoi reputacioni i Europës gjatë luftës në Bosnjë nuk parandaloi përpjekjet e reja për të zhvilluar një politikë të përbashkët të mbrojtjes dhe të sigurisë. Të turpëruar nga paaftësia për t‘u përballur me krizën në Bosnjë, udhëheqësit europianë mbështetën paktin e mbrojtjes të nënshkruar në vitin 1998 nga Jaqcue Chirak dhe Tony Blair. Ky pakt vendosi themelet për krijimin e një ushtrie të Europës, e cila në fund do të ishte rivale e NATO-s. Por, kriza në Kosovë një vit më vonë, gjatë së cilës u nevojit fuqia ajrore e SHBA-së për të detyruar Slobodan Miloseviçin të ndalë spastrimin etnik kundër shqiptarëve në Kosovë, sërish nënvizoi paaftësinë e politikanëve europianë për të arritur pajtimin për një politikë unike. Sjelljet e tyre gjatë konfliktit në Kosovë, kur insistuan se ata kanë të drejtë të miratojnë shënjestrat për bombardim të amerikanëve, pa ofruar me këtë rast burimet e tyre ushtarake, hidhëruan deri në atë masë Uashingtonin saqë shumë komandantë amerikanë sot janë tejet të kujdesshëm, kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me aleatët europianë.

Paaftësia e Europës për të zhvilluar një politikë efektive të mbrojtjes, u bë edhe më e dukshme, pas konflikteve që shpërthyen pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. U dëshmua se një numër i vogël i shteteve, përfshirë këtu Britaninë, ishte i gatshëm që të mbështetë përpjekjet për përmbysjen e talebanëve nga pushteti në Afganistan. Dhe kur erdhi momenti për të konfrontuar diktatorin irakian, Saddam Husseinin, në vitin 2003, ndërmjet fuqive të mëdha europiane plasi sherri i madh në lidhje me atë se a duhet apo jo të përkrahet lufta. Lord Guthrie i "Craigiebank", ish-kryesues i forcave të armatosura të Britanisë, beson se dështimi i vazhdueshëm i fuqive europiane, për të zhvilluar një politikë efektive të mbrojtjes, nënkupton se NATO-ja mbetet organizata më e rëndësishme për ruajtjen e sigurisë së Perëndimit. "Pjesa më e madhe e shteteve europiane nuk janë të përgatitura për luftë. Ato janë mjaft të suksesshme në misionet paqeruajtëse, por jo edhe atëherë kur nxehen gjërat. Si rezultat, ne kemi nevojë si për kryesimin, ashtu edhe për fuqinë e zjarrit të amerikanëve, për të mbrojtur aleancën perëndimore edhe në të ardhmen", nënvizoi Lord Guthrie.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›