E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vdekur ish-ministri që u paraqit i dehur në takimin e G7

Ish-ministri i Financave japoneze, Shoichi Nakagawa, u gjend i vdekur mëngjesin e djeshëm në shtëpinë e tij, në një prej lagjeve më të mëdha të Tokios. Policia e kryeqytetit raportoi se trupi i tij u gjend i pajetë në krevat, në dhomën e gjumit, në katin e parë të shtëpisë, ndërsa në trup nuk kishte asnjë shenjë dhune. Ajo që e gjeti e para kufomën ishte bashkëshortja e viktimës, e cila lajmëroi menjëherë shërbimin e urgjencës, që nuk mundi të bëjë asgjë për ta kthyer në jetë. Për momentin hipoteza e një vetëvrasjeje të mundshme është përjashtuar, megjithëse priten analizat mjekoligjore për të vërtetuar shkaqet. Përkrah trupit të pajetë nuk u gjend asnjë mesazh, që mund të hidhte paksa dritë mbi këtë veprim misterioz. Nakagawa, 56 vjeç, ishte një nga drejtuesit më të rëndësishëm të Partisë Liberaldemokrate në vend. Ai u bë "pre" e kronikave të televizioneve dhe gazetave në muajin shkurt, kur në Romë në takimin e G7-s u paraqit i dehur në konferencën për shtyp. Pikërisht ky incident e detyroi atë të japë dorëheqjen. Në zgjedhjet e 30 gushtit, politikani Nakagawa nuk arriti të zgjidhej në Parlamentin e ri të dominuar nga demokratët, për herë të parë që prej vitit 1983. Shoichi Nakagawa njihej nga të gjithë se ishte një funksionar që e tepronte shumë me alkoolin. Gjatë fushatës elektorale ai u kishte premtuar zgjedhëse të tij se do të hiqte dorë nga ky ves. Pavarësisht këtyre premtimeve, ai e humbi vendin e tij në Parlament. Nakagawa, një ligjvënës nga ishulli verior i Hokkaidos, kishte qenë pjesë e Parlamentit vendas për më shumë se 25 vjet rresht. Është për t‘u habitur fakti se vite më parë babai i tij vrau veten pasi nuk arriti të bëhej Kryeministër i vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›