Bazilika paleokristiane e Elbasanit përplas Drejtorinë e Kulturës me Bashkinë
TIRANE-Bazilika paleokristiane që gjendet në qendër të qytetit të Elbasanit, ka futur në sherr Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare me Bashkinë. Shkak për këtë është bërë mirëmbajtja e monumentit. Në një prononcim të djeshëm për Gazetën, Arbër Kadia, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë, akuzoi Bashkinë e Elbasanit se nuk po kujdeset për bazilikën. Sipas tij, kjo e fundit është fshehur mes mbeturinave urbane, dhe kjo nuk është hera e parë. "Gjatë inspektimeve të monumenteve të trashëgimisë kulturore nën administrim nga ana e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare të Tiranës vumë re një problem me Bazilikën Paleokristiane në qendër të qytetit të Elbasanit", - shprehet Kadia. Drejtori i DRKK-së së Tiranës, tha se është konstatuar një grumbullim i konsiderueshëm i mbeturinave urbane të llojeve të ndryshme pranë dhe brenda perimetrit të monumentit. Mbeturinat (që kishin rrethuar monumentin siç shihet në fotografi) u zhvendosën dhe u pastruan nga punonjësit e drejtorisë. Por ankesa e Kadisë shkon edhe më tej në kohë "kjo nuk është hera e parë që institucioni ynë detyrohet të largojë mbetje të tilla urbane të grumbulluara pranë dhe brenda monumentit në fjalë edhe pse detyra për largimin dhe pastrimin e tyre nuk është kompetencë e jona". Sipas Arbër Kadisë, kjo detyrë i takon ekskluzivisht Bashkisë së qytetit, e cila me anë të strukturave dhe infrastrukturës së saj ka për detyrë të merret me moslejimin, largimin dhe pastrimin e këtyre mbetjeve urbane. Më herët drejtori i DRKK-së së Tiranës tha se çdo vit, kjo drejtori kujdeset për bazilikën në fjalë duke bërë pastrimet e ndërhyrjet e nevojshme, por për shkak të moskujdesit nga Bashkia, puna e tyre shkon kot, pasi ajo mbulohet nga mbeturinat.
Bazilika
Si vlerën më të rëndësishme të kësaj bazilike, specialistët veçojnë mozaikun brenda saj, që vetëm këtë vit është vizituar nga të paktën 5500 turistë. Gërmimet në bazilikën paleokristiane, që ndodhet shumë pranë portës së kalasë së Elbasanit dhe "Rrapit të Bezistanit", nisën në muajin gusht të vitit 2007. Puna nisi pas një sondazhi arkeologjik, duke u bazuar në një dokument të ruajtur në arkivin e Muzeut Etnografik të qytetit të Elbasanit. Një ish-tregtar, Sul Shehu, kishte lënë një dokument ku thuhej se "poshtë themeleve të dyqanit të tij ndodhej një bazilikë". Referuar këtij dokumenti, dy vjet më parë arkeologët nisën gërmimet, të cilat nxorën në dritë mjaft objekte si shtylla mermeri, të gjata rreth 5 metra, me punime dekorative, të ekspozuara tashmë në hollin e Muzeut Etnografik në Elbasan. Gjithashtu, arkeologët që morën pjesë vetë në zbulimin e mozaikut kanë gjetur dhe një kapitel, pjesë zbukurimi që vendoset sipër kolonave, një afresk që ndodhet në mur, si dhe dy varre që i përkasin shekullit të pestë.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)