Prezantohet Vilas Boas: Te Celsi vij për shumë trofe
ANGLI- Andre Vilas Boas është prezantuar si trajneri i ri i Çelsit, pas firmosjes së kontratës 3-vjeçare me këtë klub. Tekniku, që në një vit fitoi gjithçka mund të fitohej në krye të Portos, ka një objektiv të deklaruar: të fitojë Champions League, fiksimin e Roman Abramoviç. “Pritshmëritë e këtij klubi nuk janë të ndryshme nga ato të klubeve të tjera të mëdha, - deklaroi portugezi përpara mediave. – Objektivi është të fitojmë sa më shpejt dhe sa më shumë të jetë e mundur, duke krijuar një bazë solide për të ardhmen. Është ligji i futbollit”, shtoi më tej ai. I pyetur nëse e ndjen veten një Special One si Murinjo, Vilas Boas tha duke qeshur se do të ishte i kënaqur, nëse pas fitimit të trofeve, mediat do ta quanin kështu. Ai foli edhe për ndryshimet te Çelsi, duke deklaruar se Xhon Terri do të mbetet kapiten, ndërsa do të mendohet gjatë për nëse largon ndonjë nga senatorët e ekipit. Një tjetër temë ka qenë Karlo Ançeloti, të cilin Vilas Boas e vlerësoi me notat më të larta, duke thënë se do të mundohet të shfrytëzojë punën e bërë nga italiani në dy vitet e fundit. Andres Vilas Boas është vetëm 33 vjeç, por ai është që tani një nga trajnerët më të suksesshëm në Evropë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)