Bebja e braktisur alarmon policinë e Burrelit
BURREL Një bebe e braktisur dhe e dëmtuar nga kafshët e egra ka alarmuar policinë e Matit, e cila ka nisur hetimet për gjetjen e nënës që e ka braktisur atë dhe shkaqet që kanë çuar në këtë krim. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur dy ditë më parë në një fshat të largët të komunës Xibër, por as banorët dhe as policia nuk kanë dashur që ai të bëhet publik. Bebja e sapolindur, e lënë në mëshirë të fatit nga nëna e tij, është gjetur nga dy fëmijë, të moshës rreth 10 vjeç që ndodheshin në kullotë me bagëtitë e tyre. Sapo kanë parë beben e dëmtuar nga sytë dhe fytyra, me siguri nga kafshët e shpendët e egër të zonës, ata kanë nxituar të njoftojnë prindërit dhe të afërmit për çfarë kishin parë. Nëna e njërit prej fëmijëve ka vajtur shpejt mbi fshat dhe në anë të rrugës Xibër Murrize-Xibër Hane ka parë beben e pajetë dhe të shpërfytyruar. 65-vjeçarja, emri i të cilës nuk bëhet i ditur, ka marrë beben, e ka veshur me rroba dhe pasi e ka futur në një arkë prej dërrase e ka varrosur në varrezat e fshatit. Vetëm pak minuta pas gjetjes së bebes, banorët që kanë patur dijeni të parët për gjetjen e bebes së braktisur, kanë njoftuar me telefon Komisariatin e Policisë të Rrethit Mat. Zyrtarët vendorë të policisë kanë nisur në drejtim të Xibrit inspektorin e zonës. Ai ka pyetur dy fëmijët që gjetën foshnjën dhe më pastaj edhe gruan që ishte varrmihësja e bebes së braktisur. “Askush nuk mund të thotë kur ka ndodhur braktisja e fëmijës së porsalindur, pse ka ndodhur një gjë e tilla dhe cila është nëna që ka lënë majë malit djalin e saj të vogël. Sidoqoftë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rrallë për zonën e Xibrit në rrethin e Matit” - thanë burime pranë policisë së Burrelit. Fillimisht është menduar se bebja është lindur nga ndonjë grua shtatzënë e fshatrave të thellë të Xibrit. “Ka gjasa që gruaja që ka lindur beben ka qenë duke udhëtuar drejt Burrelit për të lindur në maternitet dhe ka lindur në rrugë. E shqetësuar që nuk ka arritur të mbërrijë në spital, ose se fëmija mund të ketë lindur e vdekur, ajo e ka braktisur foshnjën” - mendojnë të afërmit e gruas që varrosi beben pa emër. Pajtim Hasa