Bllokimi në Vlorë, 3km karvani i makinave në radhë
Dita e dytë e protestës së socialistëve ka nisur rreth orës 16.00, për të përfunduar dy orë më pas. Simpatizantë të Partisë Socialiste të Vlorës kanë protestuar kundra qeverisë Berisha, se po grabit votat e Tiranës. Të gjithë protestuesit nën drejtimin e deputetëve të Vlorës kanë marshuar përgjatë rrugës nacionale Novoselë-Ura e Mifolit, ku në dalje të urës së Mifolit kanë qëndruar 1 orë, ku dhe janë konfrontuar me fjalë me policët. Deputeti Eltar Deda e kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i kanë kërkuar kreut të komisariatit të policisë së Vlorës të largojë nga turma policët civilë që kishte sjellë policia e Vlorës, për të mos bërë të mundur asnjë incident. Pasi janë konfrontuar me fjalë për pak minuta, kreu i policisë së komisariatit të Vlorës ka urdhëruar vartësit e tij që të largohen larg protestuesve, duke qëndruar në vëzhgim vetëm rreth 500 metra nga turma. Simpatizantët e Partisë Socialiste të Vlorës kanë bllokuar aksin rrugor Vlorë-Fier e përkatësisht të dyja urat e Mifolit, si të vjetrën dhe të renë, ku kanë vendosur disa goma e më pas u kanë vendosur zjarrin, pasi i kanë hedhur benzinë. Më pas protestuesit janë zhvendosur në urën e Mifolit e përkatësisht në fillim të urës, aty ku ndahet kufiri midis Vlorës e Fierit, ku kanë hedhur parulla kundër qeverisë së Ristanit, pasi vargu i makinave në të dyja akset e rrugës nacionale Vlorë-Fier kishte vajtur rreth 3 kilometra dhe pasi u duk se protesta do të mbaronte me aq, simpatizantë të Partisë Socialiste kanë djegur sërish disa goma në hyrje të urës së Mifolit, duke paralizuar totalisht qarkullimin e automjeteve dhe për një orë tjetër.