E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia paralajmëron protestuesit: Burg deri në tre vjet!

Ditën e djeshme nuk është zhvilluar protestë në qytetin e Durrësit, ndërsa policia paralajmëron protestuesit se kjo është kundërvajtje penale

DURRËS Drejtoria e policisë së qarkut Durrës ka paralajmëruar protestuesit që bllokojnë rrugët se do të ketë sanksione të ashpra për personat që do të kapen duke kryer këtë kundërvajtje penale. Nëpërmjet një deklarimi për mediat, drejtoria e policisë së qarkut ka bërë të ditur se protestuesit duhet t’i përmbahen ligjit për tubimet, i cili në asnjë rast nuk parashikon bllokimin e rrugëve, duke paralizuar kështu të gjithë qarkullimin e automjeteve. Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve dhe pengimi i lëvizjes së mjeteve përbëjnë vepër penale, që parashikohet nga nenet 262 dhe 293 të Kodit Penal dhe për to parashikohet dënim nga gjobë deri në tre vjet heqje lirie. Edhe ditën e djeshme ishte njoftuar se dega e Partisë Socialiste në Durrës do të zhvillonte të njëjtën praktikë me bllokimin e rrugëve në shenjë proteste për numërimin e votave në KQZ, por protesta e orës 16.00, e cila nuk ishte deklaruar se ku do të zhvillohej, është anuluar. Dy ditë më parë në qarkun e Durrësit janë mbajtur për 2 orë të bllokuar nga protestues dhe përfaqësues të Partisë Socialiste dy akse të rëndësishme rrugore, ai Kurbin-Tiranë, në fshatin Derven të Fushë-Krujës dhe të dyja akset e autostradës që lidh Durrësin me Tiranën. Për të dyja këto iniciativa që janë ndërmarrë nga ora 12.00 deri në orën 15.00, policia nuk ka qenë e njoftuar dhe në këtë mënyrë ato janë cilësuar të paligjshme. Në kushte të tilla, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës kanë kryer veprimet e para hetimore për procedim penal në gjendje të lirë për veprat penale të organizimit e pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme dhe pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit për 18 shtetas. Nga këta, 15 shtetas kanë qenë pjesëmarrës në tubimin e paligjshëm të zhvilluar në fshatin Derven të Fushë- Krujës, me bllokimin rreth orës 15.00 të rrugës automobilistike në të dy akset e rrugës Kurbin-Tiranë; njëkohësisht që 5 të tjerë dyshohen të jenë përfshirë në protestën e paligjshme të zhvilluar në autostradën Durrës-Tiranë, ku pati një bllokim prej 2 orësh të lëvizjes së automjeteve në këtë aks rrugor. Policia e Durrësit ka publikuar emrat e personave që ndiqen në gjendje të lirë, midis të cilëve është edhe kryetari i ri Bashkisë së Fushë-Krujës, Gjon Bardhi.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›