Krimet e Rënda, "pushime të parakohshme"
TIRANE - Ndonëse duhen edhe pak ditë që gjykatat të marrin pushimet e tyre zyrtare verore, Gjykata për Krimet e Rënda, pothuajse i ka filluar ato që dje. Të gjitha proceset gjyqësore të parashikuara për t'u zhvilluar dje, mëse 12 të tillë, nuk janë zhvilluar. Shkaku kryesor kanë qenë mungesat e shënuara në radhët e avokatëve mbrojtës, por nuk kanë munguar edhe mosparaqitjet e përfaqësuesve të akuzës, apo të gjykatës në proces. Vetëm një pjesë e vogël e tyre nuk janë zhvilluar për arsye proceduriale, për shkak të mosparaqitjes së dëshmitarëve, apo të mosekzekutimit të letërporosive, për llogari të proceseve përkatëse. Datat e seacave të radhës të proceseve gjyqësore të pazhvilluara dje, janë caktuar për në muajin shtator, për shkak se i gjithë muaji gusht është muaj pushimi për gjykatat dhe për Prokurorinë.
Zbulohet punishtja e pijeve false
SHKODER- Zbulohet punishtja që prodhonte pije me etiketa të falsifikuara, arrestohet biznesmeni 46- vjeçar. Policia e Shkodrës bëri të ditur se organizoi operacionin e koduar “Kalaja” duke prangosur shtetasin Xhavit Kasemi. Ai u arrestua për falsifikim dhe prodhim të paligjshëm të pijeve alkoolike, ndërsa u sekuestrua punishtja. “Arrestimi i biznesmenit u krye pasi gjatë një kontrollit të ushtruar në punishten e pijeve në lagjen Ajasem, u zbulua një sasi e konsiderueshme malli, që përdorej për prodhim të paligjshëm të artikujve industriale e ushqimore. Në fabrikë u sekuestruan etiketa me pije alkoolike dhe joalkoolike, tapa ambalazhi plastike të pijeve të ndryshme alkoolike, etiketa pijesh, shishe të mbushura me lëng, etj. r.d
I shpërthen dinamiti, vdes peshkatari
KRUJE/ I shpërthen dinamiti gjatë gjuetisë, vdes peshkatari amator. Sipas policisë së Durrësit, “si pasojë e gjuetisë me dinamit në grykëderdhje të lumit Ishëm, një person ka gjetur vdekjen në orët e vona të natës”. Mësohet se shtetasi Bujar Hoxha 48 vjeç kishte dalë për të peshkuar i vetëm me dinamit në lumë. Hetuesit thanë se viktima ka gjetur vdekjen që në momentin kur ka hedhur kallëpin e dinamitit në ujë. Me të dëgjuar shpërthimin e dinamitit në vendngjarje kanë mbërritur banorë të zonës, të cilët njoftuan policinë. Blutë nisën hetimet për të përcaktuar më qartë rrethanat e vdekjes së 48- vjeçarit, por dyshohet se dinamiti ka shpërthyer përpara kohe dhe në distancë të afërt me peshkatarin, rrethanë kjo që ka sjellë vdekjen. o.u/r.n
Breshka oqeanike “viziton” detin
Breshka oqeanike në rrezik zhdukje që u kap dje nga rrjetat e peshkarexhës “Delfin 2”. Zvarraniku detar me peshë mbi 1 kv., u peshkua 10 milje larg grykëderdhjes së lumit Seman, në një thellësi prej të paktën 100 metra. Duke qenë se breshka e njohur me emrin shkencor “Caretta caretta”, është një specie në rrezik shfarosje, ekuipazhi vendosi ta lëshonte në ujërat e Adriatikut. “Shumë të tjerë i shesin jo vetëm për zhguallin gjigand prej më shumë se një metër, por edhe për filetot. Ne si ekuipazh i ‘Delfin 2’ e duam dhe e respektojmë detin. Për më tepër e kemi për gjynah ta therim”, u shpreh Vangjush Haxhia, anëtar i ekuipazhit të peshkarexhës. Breshka e kapur në Durrës gjallon kryesisht nëpër oqeanet më të thella, që nga Paqësori, në atë Indian e deri në Atlantik. Ajo haset në raste të rralla edhe në detin Mesdhe dhe Detin e Zi, por kryesisht në thellësitë e mëdha.