Beçaj: Rrethohemi nga sekserë dhe matrapazë, të korruptuarit pa imunitet
Tiranë Konferenca Gjyqësore zgjodhi dje dy anëtarët e rinj të KLD-së pas një mbledhjeje të gjatë, e cila u përshkrua nga dy procese votimi, për shkak të balotazhit mes gjyqtarëve të Apelit. Dy emrat e rinj që do të jenë pjesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë Dritan Caka, gjyqtar në Gjykatën e Lushnjës dhe Hysen Saliko, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë. Përzgjedhja e Salikos si anëtar i KLD-së u bë vetëm pas raundit të dytë të votimit, pasi votimi i parë e nxori atë në balotazh me kolegun e tij në Apelin e Durrësit, Valbon Çekrezi. Pas votimit të dytë, Hysen Saliko, që ka mbajtur deri tani postin e kryetarit të Gjykatës së Ersekës dhe inspektorit në KLD, arriti të marrë 172 vota, numër ky i mjaftueshëm për të qenë pjesë e KLD-së. Ndërsa anëtari i dytë, Dritan Caka, është gjyqtari i parë magjistrat që do të jetë pjesë e qeverisë së gjyqësorit. Sipas burimeve nga Konferenca Gjyqësore, mësohet se gjithë procesi i votimit ka shkuar në mënyrë të qetë dhe, përveç debateve në fillim të mbledhjes për përjashtimin ose jo nga gara të dy gjyqtarëve, pjesa tjetër e mbledhjes ka shkuar në mënyrë normale. Në fillim të saj, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, në cilësinë e kryetares së Konferencës Gjyqësore, i bëri një skaner sistemit gjyqësor, duke përmendur një sërë problematikash që ka aktualisht ky sistem. Buxheti i pamjaftueshëm, imuniteti i gjyqtarëve të korruptuar, përmirësimi i infrastrukturës dhe pavarësia e gjyqësorit, sipas znj. Beçaj janë disa nga problemet që kërkojnë zgjidhje, madje imediate. “Gjyqësori vazhdon të jetë fokusi i debateve institucionale, sociale dhe politike, çështjet që lidhen me integritetin dhe përgjegjshmërinë e gjyqësorit vazhdojnë të jenë pjesë e debatit publik dhe ne jemi në një fazë të zhvillimit shoqëror ku karakteristikë është ndërgjegjësimi social, që do të thotë një pritshmëri tjetër ndaj drejtësisë në veçanti”- tha Beçaj, duke u ndalur gjatë te integriteti i gjyqtarëve në dhënien e drejtësisë, si një betim që secili prej tyre ka bërë kur ka marrë titullin e gjyqtarit. Beçaj në fjalën e saj u bëri thirrje të gjithë kolegëve gjyqtarë të jenë sa më objektivë dhe të vendosur në zbatimin dhe interpretimin e ligjit, pa u lëkundur nga ky qëndrim, pavarësisht presioneve apo njerëzve që i rrethojnë. “Gjej rastin t’ju bëj një thirrje të fortë: Të mos biem preh e mashtruesve, spekulantëve, sekserëve, matrapazëve, ndërmjetësuesve të çdo kategorie, të cilët fatkeqësisht janë jo të paktë në numër dhe na rrethojnë në të katër anët”- deklaroi kryetarja e Gjykatës së Lartë. Duke folur për korrupsionin në gjyqësor, Beçaj tha se çështja e imunitetit të gjyqtarëve dhe diskutimet mbi korrupsionit në gjyqësor nuk duhet të shndërrohen në një presion të vazhdueshëm e të sjellin pasiguri në veprimtarinë e përditshme gjyqësore. “Nuk duhet të ketë imunitet për gjyqtarët e korruptuar, por nga ana tjetër duhet kushtuar kujdes edhe vëmendje që gjyqtarët të jenë të sigurt në ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore e të mos ndihen të shantazhuar nga etiketimet përgjithësuese”- tha Beçaj. Në fjalën e saj, kryetarja e Gjykatës së Larë kërkoi gjithashtu mbështetjen nga organet e qeverisë, për të respektuar shtetin e së drejtës, mbrojtjen e pavarësisë së sistemit gjyqësor, si dhe garantimin e burimeve të nevojshme financiar për gjykatat dhe gjyqtarët. “Në këtë vështrim, është përgjegjësi e Qeverisë së Shqipërisë që buxheti gjyqësor të zërë përqindjen e krahasueshme me vendet e rajonit, në raport me buxhetin e përgjithshëm të shtetit, duke plotësuar nevojat e veprimtarisë gjyqësore, me qëllim rritjen e standardit të saj. Rritja e buxhetit të përgjithshëm të gjyqësorit, prognozat për rritje të pagave, përmirësimet në infrastrukturë, do të ndikonin jo vetëm në çështje të funksionimit administrativ, por dhe në rritjen e prestigjit e autoritetit në dhënien e drejtësisë”- tha Beçaj. Gjithashtu, ajo vuri theksin edhe në problematikën që has sot Gjykata e Lartë për shkak të trupës së pamjaftueshme gjyqësore, duke sjellë zvarritje në gjykimin e çështjeve, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të gjyqtarëve dhe fluksit të madh të kërkesave.
Anëtarët e KLD-së
Dritan Caka gjyqtar në Gjykatën e Lushnjës
Hysen Saliko gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë
Nuk garuan
Gjin Gjoni gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë
Artur Gaxha gjyqtar në Gjykatën e Tiranës