Kamëz, PS e PD përplasen për posterat e fushatës
Militantët e dy forcave politike janë konfliktuar mbrëmjen e djeshme pranë Bashkisë së Kamzës për shkak të vendosjes së posterave. Të pranishëm në vendngjarje, edhe forca të shumta policie, të cilat kanë ndërhyrë për qetësimin e situatës
Tiranë- Rikthehen përplasjet dhe mosmarrëveshjet politike mes PS-së dhe PD-së për çështjen e posterave elektoralë dhe vendosjen e tyre në mjediset publike. Kësaj here skenari u konsumua në Kamzë, mbrëmjen e së enjtes. Vendosja e flamujve elektoralë ka krijuar tensione dhe përplasje gjatë natës mes simpatizantëve të partive politike në afërsi të Bashkisë Kamëz. Militantët e Partisë Demokratike janë përplasur me ata të Partisë Socialiste, ndërkohë që socialistët vendosnin postera dhe flamuj elektoralë për zgjedhjet e 8 Majit. Në Kamëz ishin përfaqësuesi socialist për Tiranën, Pjerin Ndreu, dhe kandidati i PS-së për Bashkinë e Kamzës, Ragip Suli. Për më shumë se një orë palët kanë debatuar mes tyre duke krijuar shpesh situatë të tensionuar. Në zonë ishin të pranishëm edhe forca policie për garantimin e rendit. Situata është zgjidhur pas më shumë se një orë debate mes përfaqësuesve të dy forcave politike, ku me ndërhyrjen e policisë së rendit, gjithçka është qetësuar. Ky konflikt pason atë të LSI-së me zyrtarët e Bashkisë në Tiranë, ndërsa vlen për t’u theksuar se mbarëvajtjen e punëve dhe mjediseve publike në Kamzë e kontrollojnë demokratët, pasi ata kanë fituar në vitin 2007 zgjedhjet lokale. Vetëm një javë më parë e njëjta skenë u paraqit edhe në Tiranë, ndërsa përfaqësues të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim u konfrontuan me punonjës të Inspektoriatit Ndërtimor të baskisë, ndërsa ishin duke vendosur postera elektoralë në mjedise publike. Një ditë më vonë kryeinspektori Ndërtimor i Tiranës, Ardit Kaja, u plagos në një atentat, ndërsa nga Partia Socialiste erdhi menjëherë reagimi se shkaku ishte pikërisht përplasja me aktivistët e LSI-së për çështjen e posterave.